2014-10-13 10:28:05

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 87, 88


Duke shfletuar veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, kemi folur deri tani për katër të vërteta të devocionit për Zojën e Bekuar. Sot, në paragrafin 87 e 88, e vërteta e pestë RealAudioMP3

87. E vërteta e pestë. Është shumë e vështirë, duke pasur parasysh ligështinë tonë, t’i ruajmë në shpirt thesaret, që morëm nga Hyji.

1. Sepse “e kemi këtë thesar” që vlen më shumë se qielli e se toka, “në enë balte” (2 Kor 4,7), në një trup të kalbshëm, në një shpirt të dobët, të paqëndrueshëm, që një kurrgjësend e trazon dhe rrëzon përdhe.

88. 2. Sepse demonët, që janë braca dinakë, kërkojnë të na zënë në befasi për të na grabitur e për të na lënë me shpirtin e thatë: ruajnë ditë-natë çastin e përshtatshëm për këtë, sillen e përsillen vazhdimisht për të na i përlarë, për të na i rrëmbyer në çast, për një mëkat të vetëm, të gjitha hiret e meritat, që i kemi fituar për vjet e vjet. Ligësia e tyre, përvoja e tyre, dinakëria e tyre e numri i tyre, duhet të na trembin pambarimisht, aq më tepër kur shikojmë që njerëz plot me hire, të pasur me virtyte, të sprovuar në shkallën më të lartë të shenjtërisë, u zunë në beh, u grabitën e u plaçkitën në çast. Ah! Sa kedra Libani e sa yje të kupës së qiellit u panë kah rrëzohen poshtërsisht e edhe ta humbasin gjithë lartësinë e tyre e gjithë shkëlqimin vetëm në një të imtë kohe! Nga vjen ky shndërrim i çuditshëm? Nuk është mungesë hiri, sepse hiri nuk i mungon askujt, por mungesë përvujtërie: ata besuan se mund t’i kishin përgjithmonë thesaret e tyre; besuan e u mbështeten mbi vetveten. Besuan se shtëpia e tyre ishte krejt e sigurt e kasafortat, tejet të shëndosha për të ruajtur thesarin e tyre të hirit, e për shkak të këtij besimi mbi vetveten (ndonëse ata besuan se po mbështeteshin mbi hirin hyjnor) Hyji, tejet i drejtë, lejoi të grabiteshin e të liheshin në fatin e vet. Medet! Nëse do ta kishin njohur devocionin e admirueshëm, që do ta tregoj në vijim, nuk do t’ua kishin besuar thesarin e tyre kasafortave, por Virgjërës së pushtetshme e besnike, e Ajo do t’ua kishte ruajtur si të ishte thesari i saj, duke bërë një detyrë drejtësie.








All the contents on this site are copyrighted ©.