2014-10-13 13:52:02

Sinodi: familja në botën bashkëkohore është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për vitin e ardhshëm


Nisi sot në Vatikan java e dytë e punimeve të Sinodit të jashtëzakonshëm të ipeshkvijve për familjen. “Thirrja e misioni i familjes në Kishë në botën bashkëkohore” do të jetë tema e Sinodit të rregullt që do të zhvillohet nga 4 deri më 25 tetor 2015. Kështu ka vendosur Papa Françesku.RealAudioMP3
Tema u njoftua nga sekretari i përgjithshëm i sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri, në praninë e Papës, në hapje të punimeve të javës së dytë të sinodit të jashtëzakonshëm mbi familjen (5 -9 tetor 2014).
“Tema u shpall sot, tha kardinali Baldisseri para pjesëmarrësve, pasi relatori kryesor i sinodit, kardinali Erdo, lexoi relatio post disceptationem (ligjëratën e pas diskutimeve), që në diskutimet e sotme e të kësaj jave ta keni në konsideratë edhe këtë temë të ardhshme. Duhet të shikojmë më larg, shtoi kardinali Baldisseri, në mënyrë që qysh tani në diskutimet e grupeve të vogla, mund të sugjeroni tema që nuk janë trajtuar apo që duhen trajtuar rreth familjes. Tani është rasti për t’i propozuar argumentet në mënyrë që në asamblenë e ardhshme të mund të punohet edhe mbi ato argumente që meritojnë e që nuk janë trajtuar për familjen”.
Durim e delikatesë për familjet në vështirësi. Jo zgjidhjeve unike apo sipas logjikës “gjithçka apo asgjë”: ky është me pak fjalë reflektimi i “Ligjëratës pas diskutimeve” të Sinodit të jashtëzakonshëm kushtuar familjes, që u paraqit sot paradite në Sallë nga Relatori i përgjithshëm, Kardinali Erdo.
Punimet e etërve sinodalë sot vijuan nëpër grupe të vogla me diskutime e sugjerime të ndryshme të rreth familjes në Kishë. “Nga Sinodi del qartë nevoja e përcaktimeve të guximshme baritore” nga ana e Kishës, me një kujdes të veçantë ndaj “familjeve që janë të goditura nga plagë të ndryshme, ndaj familjeve të ndara, të divorcuara, atyre që janë martuar për të dytën herë e me probleme tjera”. Të kesh “një qëndrim e ndjeshmëri të re baritore, që sot kërkohet, do të thotë t’i shohësh, t’i vlerësosh aspektet pozitive edhe të martesave civile e, pas një shqyrtimi të domosdoshëm, edhe ato të bashkëjetesave”, nënvizoi relatori i Sinodit, kardinali Peter Erdo. “ Lypet pra – shpjegoi ai – që në propozimin kishtar, të cilin duhet prezantuar qartë si idealin me të lartë, t’i përmendim edhe elementet pozitive që ekzistojnë në ato situata familjare që nuk i përgjigjen akoma, apo jo më, një ideali të tillë”, siç e ka Kisha. Në shumë situata familjare jo të rregullta, apo kritike, duhet t’i kërkojmë vlerat e vërteta familjare apo së paku dëshirën e synimit për to. Prandaj lypet që Kisha në veprimtarinë e saj baritore të niset gjithmonë nga aspektet pozitive” të mundshme, pohoi kardinali Erdo.
Sinodi i ipeshkvijve mbi familjen është i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e gjetjes së një gjuhe më të përshtatshme për t’ia kumtuar “Ungjillit familjes” e sinjalizon këtë nevojë sidomos në momentin në të cilin do të duhet të ballafaqohet me “situatat baritore më urgjente”. Nevojitet të shmanget rreziku që kumtimi, megjithëse korrekt, të shuhet “në detin e fjalëve që karakterizojnë shoqërinë tonë”, tha kardinali Erdo. “Kthimi – pohoi relatori i përgjithshëm i Sinodit, duke lexuar ‘relatio post disceptationem’ në Kongregacionin e përgjithshëm të paradites, ku ishte i pranishëm edhe Papa – para se gjithash duhet të jetë ai i gjuhës, në mënyrë që të rezultojë vërtetë domethënës”. “Nuk bëhet fjalë – pohoi kardinali Peter Erdo – vetëm për paraqitjen e një rregullore, por për propozimin e vlerave, duke respektuar nevojat e atyre që sot kanë edhe në vendet më të shekullarizuara”.
Këtë javë diskutimi rreth familjes vazhdon, pastaj etërit sinodalë do të votojnë tekstin përfundimtar të “relatio Synodi” të rregullt që do të mbahet nga 4 deri më 25 tetor 2015 mbi temën: “Thirrja e misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”. Një udhë e gjatë, e hapur, që bëhet së bashku si shprehje e bashkësive të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.