2014-10-13 11:47:40

Papa në Engjëllin e Tënzot: të mos e reduktojmë Mbretërinë e Zotit në një “kishëz”


E pakufishme dhe e paaftë të diskriminojnë: kështu është mirësia e Zotit, që u jep të gjithëve mundësinë për shëlbim, pa përjashtime. Bujaria e Hyjit – këto qenë fjalët e Papës në Engjëllin e djeshëm të Tënzot – shkon shumë përtej asaj të njeriut. Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin e së dielës, që paraqet shembëlltyrën e dasmës së të birit të mbretit, në të cilën mbreti ftoi dasmorë, që nuk i erdhën e, pastaj, mori njerëz nga rruga, që ndoshta, nënvizoi Papa, nuk kishin ndonjë status të veçantë për të marrë pjesë, por për faktin se e dëgjuan thirrjen e mbretit, kishin më tepër dinjitet se të tjerët. Vetëm se, edhe prej këtyre, e përzuri atë, që nuk kishte veshur rrobën e dasmës:RealAudioMP3
“Para refuzimit të të ftuarve të parë, Ai nuk shkurajohet, nuk e prish festën, por e ripropozon ftesën, duke e shtrirë e duke e shtrirë përtej çdo kufiri të arsyeshëm. I dërgon shërbëtorët nëpër sheshe e në udhëkryqet e rrugëve për të mbledhur këdo gjejnë. Janë njerëz të çfarëdoshëm, të varfër, të braktisur, pa plang e pa shtëpi, madje, të mirë e të këqinj – edhe të këqinjtë ftohen – pa dallim. E salla mbushet me ‘të përjashtuar’. Ungjilli, i refuzuar nga dikush, pranohet papritmas nga shumë zemra të tjera”.
Gjithkujt, vijoi Papa Françesku, i jepet mundësia për t’iu përgjigjur ftesës së Zotit. Askush nuk ka të drejtë ta konsiderojë veten të privilegjuar e ta dëshirojë shëlbimin vetëm për vete:
“Të gjithë jemi të thirrur të mos e reduktojmë Mbretërinë e Zotit në kufijtë e një ‘kishëze’: të kishës sonë fare të vogël… Nuk kemi nevojë për këtë! Duhet ta shtrijmë Kishën deri në përmasat e Mbretërisë së Zotit. Me një kusht ama: të veshim rrobën dasmore, pra, të dëshmojmë dashuri konkrete për Zotin e të afërmin”.
Papa Françesku ia besoi punimet e Sinodit për Familjen, që vazhdon në Vatikan deri të dielën, mbrojtjes së Zojës, së bashku me vuajtjet e shpresat e shumë vëllezërve e motrave të përjashtuar nga shoqëria, të mënjanuar, të përbuzur, përfshirë të persekutuarit për shkak të fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.