Gjergj Meta: familja shqiptare, me gjithë vështirësitë, ende ruan vlerën e bërthamës
familjare
Përfundoi java e parë e filloi java e dytë e punimeve të Sinodit të Jashtëzakonshëm
të Ipeshkvijvenë Romë. Është i treti i Sinod i Jashtëzakonshëm që është
thirrur nga Papa në historinë e Sinodeve ipeshkëvnore. Në vetvete Sinodi është një
mbledhje e Ipeshkvijve të cilët, të zgjedhur nga pjesë të ndryshme të botës, mblidhen
në kohë ta caktuara për të ndihmuar në bashkimin e ngushtë ndërmjet Papës dhe vetë
Ipeshkvijve. (Kan 342). Përvoja e këtyre ditëve, nga informacionet që janë dhënë
nga Salla e Shtypit e Vatikanit, ka qenë ajo e një ballafaqimi të hapur të
ipeshkëvinjëve katolikë mbi çështjet që brengosin sot familjen. Sikurse kanë thënë
disa nga Ipeshkvijtë e pranishëm në Sinod, përvoja e një ndërkombtariteti të pranisë
dhe të këndvështrimeve ka qenë vërtet një vlerë. Janë trajtuar tema nga më të ndryshmet,
pa asnjë tabu, nga bukuria e martesës sakramentore, qëndrueshmëria dhe vlerat e saj,
te problemet e divorcit, nga çështja e poligamisë te vështirësia e të rinjve për të
lidhur martesë, lidhjet homoseksuale dhe çështja e adoptimit të fëmijëve nga ana e
çifteve homoseksuale dhe çështje të tjera që kanë ardhur si shqyrtim i pyetësorit
që është bërë në të gjithë Kishën Katolike në gjysmën e fundit të vitit 2013 dhe që
është dorëzuar në fillim të vitit 2014. Sikurse dihet tashmë ky Sinod i Jashtëzakonshëm
i paraprin atij tjetrit që do të mbahet në vitin 2015. Nuk priten ndoshta vendime
të mëdha në këtë Sinod, sidomos për disa çështje kyçe sikurse është kungimi për personat
e divorcuar dhe të rimartuar apo çështja e deklarimit të nulitetit të martesave nga
ana e autoritetit kishtar. Por sigurisht që pritet një reflektim i gjithmbarshëm,
në nivel sidomos lokal, por edhe universal, mbi çështjen e familjes në perspektivë
të Sinodit të ardhshëm të Zakonshëm të vitit 2015. Përvoja që do të sjellë me vete
sigurisht edhe Arqipeshëvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, i cili është
atje në emër të episkopatit shqiptar, do të duhet të na shtyjë si Kishë lokale që
të reflektojmë të gjithë së bashku në këtë drejtim. Fatmirësisht duhet të konstatojmë
se familja shqiptare, me gjithë vështirësitë që po kalon, ende ruan të paprekur vlerën
e bërthamës familjare të mbështetur mbi martesën. Martesa ndërmjet një burri dhe një
gruaje është ende një realitet që kremtohet dhe ka një dimension të sajin shoqëror
të rëndësishëm. Janë të shumta familjet që çojnë përpara misionin e tyre dhe përpiqen
të ruajnë unitetin dhe vlerat e respektit e ndihmës reciproke, përgjegjësinë e prindërve
ndaj fëmijëve e gjithashtu kujdesin ndaj të moshuarve. Por familja shqiptare dhe
martesa ka gjithashtu probleme në Shqipëri. Në horizont duken shenjat e një lodhjeje
kjo si pasojë e disa faktorëve. Divorcet në Shqipëri sipas INSTAT-it janë rreth
15 % e të gjithë martesave ndërkohë p.sh. që në Itali janë rreth 50 %. Por pavarësisht
kësaj diference, ne asistojmë në këtë fenomen, në mënyrë të veçantë në zonat urbane.
Kjo me pasojat që sjell mbi fëmijët dhe mbi vetë personat që kalojnë nëpër këtë fenomen.
Ndërkohë që është ulur numri i martesave për çdo vit është rritur numri i divorceve.
Në vitin 1990 ishin 28.992 martesa dhe vetë rreth 9 % e tyre mbaronin në divorc, ndërsa
në vitin 2013 janë 23840 martesa dhe rreth 15 % e tyre përfundojnë në divorc. Vështirësitë
ekonomike janë një problem tjetër i familjeve shqiptare që shpesh I detyrojnë
e I kanë detyruar në këto vite të jetojnë në emigrim ose edhe të ndarë. Por këto vështirësi
kanë ndikuar sigurisht edhe në qetësinë e brendshme të familjes. Po ashtu një lloj
tranzicioni kulturor që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, një koncept antropoligjik
shpesh i keqkuptuar i një lloj emancipimi, apo të paktën mungesa e një shoqërimi
të duhur drejt këtij emancipimi, ka sjellë që në shumë familje të ketë krisje shpesh
tragjike. Mungesa pothuajse totale e një strategjie në ndihmë të familjes,
qoftë nga ana e një baritorje kishtare, por po ashtu edhe e mbështetjeve shtetërore,
ekonomike apo formative, i ka shtyrë shumë të rinj që ose të vonojnë vendimin e tyre
për martesë ose ta shohin atë me frikë. Martesat në Shqipëri kanë një trend të tillë
që duhet të na bëjë të reflektojmë. Po japim disa shifra të tjera që kanë lidhje
direkt apo indirekte me familjen dhe martesën. Nuk ka ndryshuar p.sh. trajtimi
i femrës se mitur për martesën. Nga viti 1990 deri në vitin 2012 vajzat nën moshën
19 vjeçe që martohen janë pothuajse në të njëjtin numër me një mestare pothuajse prej
5000 në vit. Kjo krijon mjaft problem, sepse ndërkohë që adoleshenca psikologjike
zgjatet gjithnjë e më shumë, përsëri vazjat shtyhen drejt martesës ende pa i mbushur
18 vjeç. Popullsia po plaket vazhdimisht. Nëse në vitin 1990 shtesa natyrore,
pra raporti ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, ishte 63.932 njësi në vitin 2013 është
vetëm 15.308 njësi. Me këto hapa pas njëzet vjetësh do të jemi një popullsi e plakur.
Sigurisht kjo nxjerr problemin e madh të lindshmërisë në çift. Gjithnjë e më shumë
çiftet bëjnë pak fëmijë. Pse kjo? Çuditërisht, edhe pse duhet studiuar më mire,
aborti në vitin 1994 ishte 434/1000 lindje, në vitin 2012 është 190/1000 lindje. Patjetër
duhet të vërejmë se në vitin 1994 kishim 72.179 lindje ndërsa në vitin 2012 kemi 35.473
lindje pra rreth 50 % më pak. Të gjitha këto reflektojnë situatën e familjes. Mund
të lexohen si shenjë rritjeje ekonomike dhe përgjegjësie planifikuese të familjeve,
por edhe si mosmundësi për të mbajtur fëmijët për shkak të problemeve ekonomike. Atëherë
ose nuk lindin fëmijë ose shkojnë drejt abortit. Nuk është qëllimi im të jap vlerësime
morale, por vetëm të ngre pyetje. Sa i përket martesave në Kishën Katolike edhe
pse ende nuk kemi numra të saktë për sa I përket ndarjeve, por nga Gjyqi kishtar mund
të themi se ka shumë kërkesa për anulim të martesës. Edhe ku nuk ka kërkesa për anulim
ka gjithsesi ndarje ose situata afër ndarjeve ose moskomunikimi total. Shumë çifte
kërkojnë martesën në Kishë, por përgatitja që ata marrin për sakramentin e martesës
ka shumë probleme që lidhen me mospranimin e një kohe përgatitjeje nga ana e çiftit
nga njëra anë, dhe me mospasjen e një strategjie të qartë kishtare nga ana tjetër
për formimin dhe shoqërimin e të rinjve që duan të martohen. Po ashtu familjet
në nevojë, martesat në krizë dhe me problem, nuk gjejnë kudo një ndihmë profesionale
që të ndikojë në pajtimin e tyre. Shpesh i lihet turpit faji, dmth që shumë familje
e çifte nuk flasin për këtë gjë, por shpesh edhe mospërgatitjes së neve meshtarëve
në administrimin e situatave të krizës kur çiftet trokasin në derën tonë. Duke
shpresuar që një reflektim serioz do të ndjekë këtë Sinod edhe në Kishën Katolike
në Shqipëri më vjen të them se ka ardhur momenti që Kisha Katolike të investojë seriozisht
në formimin e atyre çifteve që kanë dëshirë të jetojnë martesën e tyre dhe të jenë
formues për më të rinjtë. Për këtë nevojiten shtigje reflektimi dhe formimi në të
gjitha famullitë dhe dioqezat me krijimin e grupeve të këshillimit dhe sidomos trajnimin
e këtyre të fundit. Martesa si çdo zgjdheje tjetër kërkon impenjim. Ne meshtarët sado
të përgattitur të jemi, mund të jemi vetëm një ndihmë ndaj atyre laikëve që duhet
të marrin në dorë punën për formimin e të rinjëve për martesë dhe jetë familjare.
Në
Kishën Katolike në Shqipëri, në muajt në vijim, është shpallur edhe mbajtja e një
Takimi kombëtar, ta quajmë kështu një minisinod kishtar që duhej të
ishte bërë tashmë, por Vizita e papritur e Papës e shtyu. Ndoshta ishte një shestim
i përtejmë kjo gjë. Atëherë në këtë “sinod” duhet që tema e familjes të jetë në rend
të ditës dhe me shumë përparësi. Një familje e shëndoshë rrit dhe edukon gjymtyrë
të shëndosha për bashkësinë kishtare dhe qytetarë të mire për shoqërinë.