2014-10-11 13:49:54

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 84, 85, 86


Në muajin tetor, muaji i Rruzares Shenjte, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort.Sot vijojmë t’ju flasim për të vërtetën e katërt të këtij devocioni: “Është më e pëlqyeshme, sepse më e përvuajtur, të mos i afrohemi Hyjit vetëm, pa një ndërmjetësues”.RealAudioMP3

84. Zoti ynë është edhe avokati e ndërmjetësuesi ynë pranë Hyjit Atë; përmes Tij duhet të lutemi, me mbarë Kishën triumfuese e vepruese; përmes Tij mund të hyjmë tek Madhëria e Tij, e nuk duhet të paraqitemi kurrë para Tij, pa u mbështetur e pa u veshur me meritat e tij, si Jakobi i vogël me lëkurën e kecit para babait të vet, Isakut, për të marrë bekimin e atit.

85. Po a nuk kemi, ndoshta, nevojë për një ndërmjetësues edhe pranë vetë Atij(Jezusit)? Thua dlirësia jonë është aq e madhe, sa të njëjtësohemi vetëm për vetëm e drejtpëdrejtë me Të? A nuk është Ai Zot e krejt i ngjashëm me Atin, e si pasojë, Shenjt i shenjtorëve, i denjë për respekt, sa edhe Ati? Nëse dashuria e Tij e pambarim e bëri dorëzanë e ndërmjetësues për ne pranë Hyjit, Atit të Tij, për ta fashitur e për t’i larë borxhin, që i kemi, duhet thua, të kemi më pak respekt e frikë për madhërinë e shenjtërinë e Tij?
Të themi, prandaj, nga gjithë zemra, me Shën Bernardin, se kemi nevojë për një ndërmjetësues, pranë vetë Ndërmjetësuesit e se Maria hyjnore është më e afta për ta kryer këtë vepër dashurie; sepse përmes saj erdhi Jezusi ndër ne e përmes saj, edhe ne duhet të shkojmë tek Ai. Nëse druhemi të shkojmë drejtpërdrejt tek Jezu Krishti, për shkak të madhështisë së Tij të pambaruar, të vogëlsisë sonë ose të mëkateve tona, të kërkojmë nxehtësisht ndërmjetësimin e Marisë, Nënës sonë; ajo është e mirë e e butë, në të nuk ka asgjë tepër zymtë, asgjë tepër të lartë, asgjë tepër të shkëlqyer; duke e soditur, në të shikojmë natyrën tonë të panjollë. Ajo nuk është diell, që me vezullimin e rrezeve të veta mund edhe të na verbojë, për shkak të ligështisë sonë; por ajo është më e bukur e më e ëmbël se hëna, që e merr dritën nga dielli dhe e zbut, që të mund t’i gëzohen sytë tanë dritëshkurtër. Ajo është aq e mëshirshme, sa që nuk e kthen mbrapsht asnjë nga ata, që i luten për ndërmjetësim, sado mëkatarë të jenë; sepse, si thonë shenjtorët, nuk u dëgjua kurrë, qëkur bota është botë, që ndokush të ketë ngarendë për t’i kërkuar ndihmë e ajo ta ketë lëshuar dore. Ajo është aq e fuqishme, sa nuk ka ndodhur ndonjëherë t’i mohohet krejt hiri i kërkuar; mjafton të paraqitet para Birit të saj për t’iu lutur; e ai e pranon sakaq lutjen e i jep hirin e kërkuar; Ai i pranon gjithnjë dashurisht lutjet e nënës së tij të shtrenjtë, që e mbajti në prehër, që e mëkoi.

86. E gjithë kjo është marrë nga Shën Bernardi e Shën Bonaventura, në mënyrë që, sipas tyre, ne të mund të ngjitim tri këmbë shkalle, për të arritut tek Hyji: e para, më afër nesh e më e përshtatshme për aftësitë tona, është Maria; e dyta, Jezu Krishti; e treta, vetë Hyji Atë. Për të shkuar tek Jezusi, duhet shkuar tek Maria, që ndërmjetëson për ne; për të shkuar tek Ati i amshuar, duhet shkuar tek Jezusi, ndërmjetësues për shëlbimin tonë. Me devocionin, që do ta paraqes në vijim, respektohet ky rend, që na çon kah përsosuria.








All the contents on this site are copyrighted ©.