2014-10-11 13:52:34

Sinodi/Propozohen udhë pendestare për të divorcuarit e rimartuar


Gjatë fundjavës, etërit sinodalë po reflektojnë për realcionin pas diskutimeve të kësaj jave në Sinodin e jashtëzakonshëm për Familjen, që vijon në Vatikan. Në qendër të debatit javor ishin, pa dyshim, temat që kanë të bëjnë me familjet në krizë. U propozuan kremtime pendestare të tipit komunitar për të divorcuarit e rimartuar, që duan të hyjnë sërish në bashkim me Kishën. Të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, në një nga takimet e tij me gazetarët:RealAudioMP3
“Një nga etërit dha një farë modeli se si po përpiqet të ecë në këtë udhë me çiftet e interesuara, duke bërë pyetje e reflektime mbi pasojat që mund të ketë divorci mbi fëmijët, ose duke shqyrtuar nëse janë ndrequr gabimet e nëse kanë hequr dorë nga sjelljet e padrejta ndaj bashkëshortit... Ndokush foli edhe për forma, akte kishtare me të cilat të bëhen përpjekje për ta konkretizuar këtë udhë pendestare. Për shembull, me anë të kremtimeve jubilare, të përvjetoreve të çiftit, për t’u kremtuar me të gjithë bashkësinë”.
Ndërkaq, argumenti më i debatuar është nëse të divorcuarit e rimartuar mund të marrin Kungimin e Shenjtë. Edhe për këtë, atë Lombardi sqaron se ka pasur një mendim të veçantë:
“Është ai, që pati shën Piu X në kohën e vet, duke pranuar fëmijët në Eukaristi. Atëherë u konsiderua jashtëzakonisht revolucionar, jashtëzakonisht i ri për kohën. Pra, ka edhe shembuj guximi nga ana e një pape – megjithëse në një situatë të ndryshme nga e sotmja – në reflektimin e në futjen e risive përsa i përket praktikës së marrjes së Eukaristisë”.
Tema të tjera të ndjeshme qenë përgatitja për martesë, pesha e kulturës në mbështetje të familjes, rëndësia e impenjimit të laikëve e dëshmia e çifteve; pastaj, problemet që kanë të bëjnë me lindjen e fëmijëve e me manipulimin e embrioneve, me abortin e me shëndetin riprodhues në përgjithësi; u fol edhe për emigracionin e ndikimin e tij mbi familjen, për të drejtën e familjeve në zgjedhjen e edukimit për fëmijët, për të drejtën e vejusheve e të vejanëve për të qenë në qendër të kujdesit të bashkësisë së krishterë. Të gjitha këto tematika do të përmblidhen në relacionin pas diskutimeve, me të cilin do të fillojnë punimet e javës së ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.