2014-10-11 13:52:12

Papa Françesku kremton meshën e falenderimit për shenjtorët e rinj të Kanadasë


Papa Françesku kremton nesër në orën 10.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, një meshë falenderimi për shenjtorët e rinj, të shpallur nga Kisha në 3 prillin e kaluar. Ata janë Francesco de Laval, ipeshkvi i parë i Kuebekut në Kanda (1623-1708) dhe motër Maria e Mishërimit (1599-1672), orsolinë franceze.RealAudioMP3
Të dy u shpallën shenjtorë së bashku me jezuitin Jozef de Anchieta, për të cilin, Ati i Shenjtë pati kremtuar meshën e falenderimit në kishën romake të Shën Injacit të Lojolës, më 24 prill. Francesco de Laval dhe Maria e Mishërimit, të dy të lindur në Francë, konsiderohen, në një farë mënyre, themeluesit e Kishës në Kuebek.
I pari u shugurua meshtar në vitin 1647. Pasi u dallua për zellin e tij misionar, u bë vikar apostolik për Tonkinën në Indokinë, por nuk mundi ta kryejë detyrën për shkak të presioneve politike të fuqive koloniale evropiane. U shugurua ipeshkëv e u emërua vikar apostolik i Francës së Re, në vitin 1658. Aty, në territorin kanadez, punoi për lindjen e famullive, të spitaleve e të shkollave të krishtera. Mbrojti indianët vendas, që shfrytëzoheshin nga tregtarët dhe luftoi për bashkëjetesën paqësore të popullsive indigjene me ato evropiane. Në vitin 1676 favorizoi lindjen e Kongregatës së Notre-Dame (Zojës së Bekuar) , një bashkësi murgeshash, të cilat iu kushtuan mësimdhënies, risi e vërtetë për Kishën e asaj kohe. Françesku kishte një stil jetese të përkorë. Deri në vitet e fundit të jetës flinte përtokë, zgjohej në orën 2.00 të mëngjesit, kremtonte meshën në orën 4.30 për punëtorët e Kuebekut. Përkushtimi i tij solli fryte: famullitë u rritën deri në 35, meshtarët nga 24 arritën në 102 vetë, ndërsa rregulltaret, nga 22 në 97.
I njëjti zell apostolik karakterizoi edhe jetën e Marisë së Mishërimit, në shekull, Maria Guyart. Lindi në vitin 1599 në Tours të Francës, në një familje bukëpjekësish. Pavarësisht se ndjeu thirrjen për t’u bërë murgeshë, iu bind të atit, duke u martuar me pronarin e një punishteje të vogël mëndafshi. Pak muaj pas lindjes së djalit, mbeti e vejë. E mbytur nga borxhet, iu kushtua punës në punishte, duke u bërë një afariste e vërtetë e shekullit XVII, në një ambient maskilist, në të cilin gratë mënjanoheshin. E udhëhoqi feja e thellë në Jezu Krishtin, aq sa, me kalimin e viteve, jeta e saj u kthye në kundruese. Në vitin 1620 filluan vizionet trinitare. Pas 11 vjetësh, hyri në urdhërin e orsolineve, duke ia lënë të birin së motrës. E ndryshoi emrin, duke u quajtur motër Maria e Mishërimit. Dalëngadalë, brenda saj u poq dëshira për të shkuar në mision. E çuan në Kuebek. Këtu, ndërtoi kuvendin, mësoi dialektet e indianëve vendas, shkroi për ta katekizmin e Kishës Katolike, gramatikat e fjalorët, duke u marrë edhe me fëmijët, që i edukonte e i rriste sipas vlerave të krishtera. Vdiq në vitin 1672, duke lënë një bashkësi prej 30 murgeshash, nga të cilat do të dalin më pas “Orsolinet e Kanadasë”. Sot, njihet si nënë e Kishës Katolike në Kuebek.







All the contents on this site are copyrighted ©.