Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Themelimi i Patriarkatit Latin
të Jeruzalemit (XIII)
Sulltani nisi të interesohej
për t’u lidhur me Romën edhe pse nuk e duronte dot ndërhyrjen, në rritje, të fuqive
të mëdha evropiane, në punët e brendshme të shtetit, ndërsa synonte t’i linte katolikët
e Lindjes së Mesme nën mbrojtjen e Papës e të Shtetit të Kishës, duke i shpërfillur
të gjitha sistemete proteksioniste. Në këtë vit, një delegacion otoman, i kryesuar
nga ambasadori turk në Vjenë, Shekib Efendiu, vizitoi Kuirinalen (asokohe seli e papëve)
për t’u marrë vesh drejtpërdrejt me Papën Piu IX. Papa i priti me interes të veçantë
propozimet e Portës së Lartë. Ambasadori turk e siguroi se sulltani “dëshironte të
jetonte në miqësi me Shenjtërinë e Tij e se do t’i mbronte gjithë të krishterët, që
jetonin në trojet e pafundme ku sundonte”. Gjatë bisedimeve u morën vendime shumë
të rëndësishme, që ndikuan fuqimisht mbi jetën e bashkësive katolike të Lindjes. Selia
e Shenjtë vërejti se nuk hynte në kompetencat e saj të merrte mbi vete mbrojtjen
e katolikëve në Lindjen e Mesme e, prej këndej, as ta ndryshonte sistemin në fuqi
(aq më tepër sepse Franca, në vitin 1831, kishte marrë nga Sulltani lejën të krijonte
një ‘milet’ të pavarur për katolikët), por Papa, si kryetar i këtyre bashkësive, mund
ta organizonte jetën e brendshme të bashkësive lindore, mbi bazën e kërkesave të
reja shpirtërore. Kështu Selia Apostolike kërkoi, e edhe e siguroi, emërimin e
një Delegati apostolik (me ndikim të ligshtë diplomatik) pranë Portës së Lartë. Delegati
nuk e kishte për detyrë t’i mbronte katolikët, por të bashkërendonte veprimtaritë
misionare në Perandorinë turke e të nxiste zhvillimin e tyre. Për shak të ngjarjeve,
nisur me Risorxhimenton (Lëvizja për Bashkimin e Italisë, në shekullin XIX), që ia
hoqi Papës shtetin e Kishës, duke e kufizuar sovranitetin e tij vetëm mbi qytetin
e Romës, e edhe të manovrave të qeverisë franceze, që synonin bllokimin e projektit,
ai u relizua vetëm në vitin 1867. Piu IX, më 4 tetor 1847, njoftoi publikisht se
Porta e Lartë e kishte autorizuar përtëritjen e Patriarkatit latin të Jeruzalemit,
nën jurisdiksionin e të cilit përfshiheshin të gjithë katolikët e perandorisë. Ipeshkëv
u emërua imzot Giuseppe Valerga. Ishte sukses i madh. Që nga koha e kryqëzatave asnjë
ipeshkëv latin nuk kish mundur më të vendosej në Tokën e Shenjtë. Gjithsesi kjo arritje,
siç parashikohej, krijoi shumë probleme me karakter si administrativ, ashtu edhe diplomatik
në gjirin e botës katolike lindore. Në rastin e parë ishin françeskanët e Rojtarisë
së Tokës së Shenjtë, që krijuan vështirësitë fillestare. Ata kërkonin administrimin
e plotë të Viseve të Shenjta, mbi bazën e marrëveshjeve, që lidheshin me ruajtjen
e status quo(gjendjes ekzistuese). Ndërsa në planin diplomatik, krijimi i patriarkatit
latin u kundërshtua fuqimisht nga Franca, e cila druhej se Papa mund të emëronte patriark
ndonjë italian ose austriak, gjë që do ta dobësonte shumë pozitën e franceze lidhur
me mbrojtjen e të krishterëve, siç edhe ndodhi. Megjithatë, duhet vërejtur se kundërshtarët
më të fuqishëm të krijimit të patriarkatit, qenë vetë bashkësitë katolike lindore,
të cilat shikonin në këtë veprim përpjekjen nga ana e Kuries Romake, për “t’i latinizuar”
Kishat e ritit lindor. Në krye të kësaj revolte ishte Kisha melkite, patriarku i së
cilës kishte edhe titullin “patriark nderi i Jeruzalemit dhe i gjithë Lindjes”. Por
kështu e humbiste parinë, që e kishte gëzuar deri në këtë kohë. Masat, që mori
Selia e Shenjtë në këtë periudhë, me mbështetjen e Portës së Lartë, kishin për qëllim
centralizimin e një realiteti tejet heterogjen e, pavarësisht nga kundërshtimet, fuqizimin
e lidhjeve ndërmjet qendrës (Romës) e periferisë. Për ta realizuar këtë, në vitin
1862 u vendos që në gjirin e Propaganda Fides të krijohej një seksion, i ngarkuar
posaçërisht për drejtimin e marrëdhënieve me bashkësitë katolike të Lindjes (Pro negotiis
orientalibus). Duhet thënë se këto masa nuk u pritën me entuziazëm në botën lindore:
disa druheshin se Selia e Shenjtë, me këto masa përtëritëse, synonte ta romanizonte
ose, siç e thamë më lart, ta ‘latinizonte’ një realitet kishtar, që ishte e donte
të mbetej i përbërë nga shumë bashkësi, larg çdo centralizimi. E kjo, me synimin
e shmangjes së rrezikut të centralizimit, a, më mirë të themi, të rrafshmnit të kulturave
vendase, nga kultura dhe mendësia latine, domethënë, evropiane. Mund të pohojmë, prandaj,
se pa e vënë kurrë në diskutim autoritetin e papës, këto Kisha i shikuan me dyshim
metodat e reja që, sipas tyre, nuk i përfillnin në masën e duhur rolet e traditat
shumë të lashta (posaçërisht në fushën disiplinore e liturgjike), që donin t’i ruanin
nga rreziku i “infektimit perëndimor”.