2014-10-10 14:02:10

Sinodi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për Sirinë, Irakun e Lindjen e Mesme


Bashkësia ndërkombëtare të veprojë për të rivendosur bashkëjetesën paqësore në Irak, Siri e në gjithë Lindjen e Mesme. Me këtë mesazh, etërit sinodalë, në Asamblenë III të Përgjithshme, tërheqin edhe një herë vëmendjen e botës ndaj gjendjes së familjeve në vështirësi, për shkak të konflikteve. E në fjalët e ipeshkvijve është i pranishëm edhe udhëtimi i Papës Françesku në Shqipëri, ku, në takimin me krerët e feve të tjera, Ati i Shenjtë theksoi se “askush nuk mund ta përdorë emrin e Zotit për dhunë”, si edhe “të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh”.
Së bashku me Papën, ipeshkvijtë i luten Zotit – kështu shkruhet në mesazh – për familjet irakiane e siriane, të detyruara, për shkak të fesë së krishterë, ose të përkatësisë në bashkësi të tjera etnike o fetare, të braktisin gjithçka e të ikin drejt një të ardhmjeje krejtësisht të pasigurtë. Ipeshkvijtë falenderojnë organizatat ndërkombëtare për solidaritetin e treguar deri tani ndaj viktimave të barbarive të integralizmit, duke u kërkuar të bëjnë ç’është e mundur për të rivendosur pajtimin. Pastaj, përmendin familjet, që vuajnë në të gjitha anët e botës për shkak të dhunës. “Atyre – përfundojnë etërit sinodalë – duam t’u sigurojmë lutjen tonë të vazhdueshme, që Zoti i mëshirshëm t’i kthejë zemrat e t’u dhurojë paqe e qëndrueshmëri të sprovuarve. Familja e Shenjtë e Nazaretit që pësoi ‘udhën e dhimbshme të mërgimit’(Engjëlli i Tënzot, 29 dhjetor 2013) ta kthejë çdo familje, ‘bashkësi dashurie e pajtimi’, në burim shprese për botën mbarë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.