2014-10-10 14:26:36

Nobelin për Paqen e fitojnë Malala Yousafzay dhe Kailash Satyarthi


U dha sot në Oslo të Norvegjisë, Çmimi Nobel për Paqen 2014. Atë e fituan pakistanezja Malala Yousafzay, plagosur rëndë para dy vjetësh nga talebanët për impenjimin e saj në favor të arsimimit të grave, dhe indiani Kailash Satyarthi, aktivist i impenjuar për të drejtat e fëmijëve.
Figura emblematike, eksponentë të dy shoqërive, ku politika i redukton të drejtat e grave e të fëmijëve në pak gjë, Malala e Kailash u vlerësuan – siç thuhet në motivacionin e Çmimit – “për betejën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve e të rinjve, në favor të së drejtës së edukimit për të gjithë”. Domethënëse edhe historia e jetës së dy nobelistëve. Malala, në vitin 2009, ishte vetëm 12 vjeç, kur mbronte të drejtën e vajzave të vogla për t’u arsimuar në luginën pakistaneze të Suatit, duke iu kundërvënë ideologjisë obskurantiste të talebanëve. Për këtë arsye, në një atentat, plagoset rëndë në kokë e, megjithatë, e vazhdon misionin.
60-vjeçari indian Kailash tregon ndërkaq, një guxim të madh personal, në vazhdën e traditës së Gandit, duke udhëhequr forma të ndryshme protestash e demonstratash paqësore kundër shfrytëzimit të fëmijëve në punë. Kontribuon kështu në hartimin e konventave të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e të miturve.








All the contents on this site are copyrighted ©.