2014-10-09 14:18:47

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 78, 79


Sot, duke shfletuar veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, do të flasim për të vërtetën e tretë të devocionit ndaj Zojës së Bekuar. E vërteta e parë na kujton se Jezu Krishti duhet të jetë qëllimi i fundit i të gjitha devocioneve tona; ndërsa e vërteta e dytë na thotë se nuk i përkasim vetvetes, por krejtësisht Atij, si gjymtyrë e skllevër të tij, që Ai i bleu jashtëzakonisht shtrenjtë, me çmimin e gjakut të vet.

78. E vërteta e tretë. Veprat tona më të mira zakonisht plyren e prishen nga shpirti i keq, që kemi brenda nesh. Kur e mbushim me ujë të pastër e të kulluar një kanë, që bie erë të keqe, ose shtiem verë të mirë, në një shakull, që kundërmon erën verës së keqe, me të cilën qe mbushur më parë, uji i kulluar e vera e mirë prishen e nisin të bien menjëherë erë të keqe. E njëjta gjë ndodh kur Zoti dikon në shpirtin tonë, të shkatërruar nga mëkati orgjinal e aktual, hiret e veta, vesën a verën e zgjedhur të dashurisë së Tij; dhuratat e tij prishen e plyren nga tharmi i keq, i lënë prej mëkatit në shpirtin tonë; veprat tona, edhe virtytet më të larta, marrin erë. Ka shumë rëndësi, prandaj, të fitojmë përsosurinë, që mund ta bëjmë tonën vetëm duke u shkrirë me Jezu Krishtin, duke u zbrazur nga gjithçka është e keqe në shpirtin tonë; përndryshe Zoti, pambarimisht i dlirë, që e urren pafundësisht edhe njollën më të vogël në shpirt, nuk do të na durojë para syve të tij e nuk do të bashkohet me ne.

79. Për t’u zbrazur nga vetvetja, duhet, në radhë të parë, ta shohim mirë, me dritën e Shpirtit Shenjt, pjesën e keqe të vetvetes, paaftësinë tonë në çdo vepër me vlerë për shëlbim, ligështinë tonë në gjithçka, luhatjen në çdo kohë, padenjësinë në çdo hir e mbrapshtinë në çdo vend. Mëkati i të parëve tonë na rrënoi gati krejtësisht, na shëmtoi, na thartoi, na mbufati, na prishi, si tharmi tharton, mbufat e prish brumin, ku është hedhur. Mëkatet e sotme, që kemi bërë, si ato mortare, ashtu edhe ato të lehta, edhe pse të falura, e kanë shtuar epshin tonë, ligështinë tonë, paqëndrueshmërinë tonë e prishjen tonë, duke na lënë pleh në shpirt.
Kështu trupat tonë janë prishur aq, sa Shpirti Shenjt t’i quaj trupa mëkatarë, të zënë në mëkat, të ushqyer nga mëkati e të aftë për të gjitha të zezat, trupa të pushtuar nga mijëra sëmundje, që kalben ditë për ditë e lënë pas vetëm kalbësirë e prishje.
Shpirti ynë, i bashkuar me korpin, u bë, kështu krejt i mishtë, aq sa të quhet mish. “i prishur”, sepse sjellja e çdo njeriu përmbi tokë ishte sjellje plot me ligësi (Zan 6,12). Trashëguam vetëm mburrjen e verbimin e mendjes, ngurtësimin e zemrës, ligështinë e luhatjen e shpirtit, epshin, pasionet rebele e sëmundjet e korpit. Jemi, për natyrë, më mburracakë se pavodat, më të lidhur me dheun se thithlopat, më të qelbur se sqepët, më ziliqarë se gjarpërinjtë, më të pangopur se derrat, më të tërbuar se tigrat e më përtacë se breshkat, më të hepueshëm se kallamat e më të fafitës se flamujtë. Në fundin e vetvetes nuk kemi gjë tjetër, veç mëkatit, prandaj e meritojnë mërinë e Hyjit e skëterrën e pasosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.