2014-10-08 14:28:40

Sinodi: Kisha sa më afër familjeve në vështirësi


Në Vatikan vazhdojnë punimet e Sinodit të jashtëzakonshëm mbi familjen. Sot u mbajt kongregacioni (mbledhja) i pestë, paradite, dhe ai i gjashtë, pasdite, gjatë të cilin ishte i pranishëm edhe Papa Françesku, i cili paradite, si zakonisht, mbajti Audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë së cilët e përcaktoi Sinodin si “moment të rëndësishëm për jetën e Kishës e për mbështetjen e familjeve tona, të cilat shpesh janë të plagosura e të sprovuara në shumë mënyra”. Papa Françesku u kërkoj besimtarëve t’i lutën Zotit që “reflektimi mbi familjen ta ndriçojë e ndihmojë udhën e çdo kishe shtëpiake”.
Punimet e sesionit të paradites u kryesuan nga kardinali brazilian Raymundo Damasceno Assis, kryeipeshkëv i Aparecida, i cili hapi punimet me dëshminë e një gruaje, e pranishme në Sinod si auditorë: Jeannette Touré, presidente kombëtare e shoqatës së grave katolike në Bririn e Fildishtë dhe e martuar me një mysliman.
“Sfidat baritore mbi familjen” ishte tema e sesionit të pestë, që u zhvillua përmes katër temave: kriza e fesë dhe jeta familjare: situatat kritike brenda familjes; ndikimet e jashtme në familje; situatat e veçanta. “Kisha dëshiron t’u japi përgjigje të përshtatshme kohëve të sotme”. Me këto fjalë kardinali brazilian Damasceno Assis nisi punimet e takimit të paradites. “Në një Kishë të cilën Papa Françesku nuk hezitoi ta krahasonte me një spital lëvizës pas një beteje, si barinjtë duam t’u vijmë në ndihmë shumë familjeve që janë në krizë, për t’u dhënë përgjigjen e frymëzuar nga Ungjilli i përdëllimit – shtoi ai – Nuk mund të injorojmë ekzistencën e shumë situatave kritike në jetën familjare, që vijnë nga faktorë të brendshëm e të jashtëm”.
Kardinali Damasceno kujton disa faktorë si: “vështirësitë e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të familjes, ndërmjet të të martuarve, ndërmjet prindërve e fëmijëve dhe ndërmjet vëllezërve; fragmentimet e shpërbërjet shkaktuar nga divorci apo ndarja e burrit e gruas, si dhe nga situata tjera kritike, nga realitetet familjare të zgjeruara, tek format e ndryshme të dhunës, të abuzimeve në nivelin psikologjik, fizik e seksual ndaj disa grave e sidomos ndaj fëmijëve, varësia nga droga, nga loja e fatit, nga mediat e social network. Faktor këto që ndikojnë në krizën e familjes sot, e cila nga Kisha e shoqëria pret përgjigje të përshtatshme. “Kisha nuk dëshiron që në familje të shuhet gëzimi i vërtetë i jetës,për mungesë të respektit e për shkaqe tjera, si papunësia, emigrimi, varfëria e lufta për mbijetesë, konsumizmi e individualizmi, e shkaqe tjera të veçanta”. Ne duam t’i trajtojmë “me vëmendje shenjat e kohës”, tha kardinali brazilian.
E nga ndërhyrjet e shumta të etërve sinodalë, mes tjerash, u kërkua edhe një vëmendje e veçantë ndaj gjuhës (fjalorit) që përdoret në transmetimin e fesë. Po kështu u theksua rëndësia e mënyrës se si u kumtohet Ungjilli familjeve. Duhen kërkuar, pra, – u tha akoma - shenjat dhe elementet pozitive në jetën familjare, madje edhe në ato familje që nuk janë të përsosura, por tek të cilat gjithmonë mund të gjenden elemente të një jete të vërtetë e pozitive, gjithnjë duke konsideruar vlerën e plotë sakramentale që ekziston vetëm në martesën e Kishës katolike, pra përherë në dritën e Ungjillit. Këto janë vetëm disa nga temat që u trajtuan nga 180 etërit sinodalë gjatë Sinodit për familjen.
Duke pasur parasysh rëndësinë e promovimit të njohjes së mësimit të Kishës mbi martesën dhe familjen, - pohuan disa etër sinodalë – duhen gjetur metoda të përshtatshme, në mënyrë që “të bëjmë gjithçka është e mundur për t’ia treguar njeriut bashkëkohor – i cili me çdo kusht kërkon lumturinë – se në Krishtin gjendet lumturia e vërtetë "! "Nga kjo buron nevoja për ta treguar e dëshmuar pikërisht bukurinë e martesës së krishterë dhe bukurinë e jetës së njeriut”. Në ketë na ndihmon vet shembulli i Krishti: “Jezusi u fliste njerëzve personalisht, pra në mënyrë të drejtpërdrejt: kështu duhet t’u japim hapësirë e t’u kushtojmë më shumë vëmendje marrëdhënieve njerëzore”, u pohua mes tjerash nga disa etër sinodalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.