Sinodi/Kardinal Filoni për familjet irakiane: shembull i madh force e bashkimi
Mesazh vlerësimi e inkurajimi për familjet në Irak, kërcënuar nga shfarosja e detyruar
të ikin për të mos hequr dorë nga feja e krishterë. Etërit sinodalë, të vëmendshëm
ndaj pasojave të intergalizmit islamik në Lindjen e Mesme, miratuan me shumicë votash
këtë propozim, mbi të cilin ndalet, në mikrofonin tonë, prefekti i Kongregatës për
Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni. Vetë prelati ka qenë në Irak gjatë
muajit të gushtit, si i dërguar i veçantë i Papës Françesku: Një nga realitetet
më dramatike është pikërisht ç’ndodh në Irak, nga ku familjet janë detyruar të ikin,
pasi ndodhen përballë alternativës: ose të heqin dorë nga feja, ose të largohen. Më
duket se kjo është dëshmia më e bukur nga pikpamja e fesë. Pra, ato dëshmojnë fenë,
pavarësisht nga problemet që dalin kur lënë shtëpitë, pasurinë etj.. Ajo që më bëri
më shumë përshtypje, kur isha në Irak, është fakti se këto familje mbeten të bashkuara
e kudo ikin së bashku, pa u ndarë. Prandaj, në Sinod, duhet thënë se dëshmia e fesë
së familjeve të krishtera irakiane, jo vetëm është shumë e bukur e vlen për të gjithë,
por ato vazhdojnë edhe të qëndrojnë të bashkuara, pavarësisht nga vështirësitë. Duke
pasur parasysh çiftet, që bashkëjetojnë pa martesë, gjatë Sinodit, ju thatë: “Këto
nuk janë situata të panjohura, ekzistonin edhe në kohën e Jezusit”. Si i trajtonte
Jezusi këto raste? Po, pikërisht gjatë homelisë të së dielës së kaluar, Papa
tha të vendosim në qendër misterin e Jezusit, jetën e Tij, sjelljen e thëniet e Tij.
Mua më duket se Jezusi ka qenë i qartë që atëherë për këto tematika, të cilat sot,
në aspekte të ndryshme, i shohim si akoma aktuale e madje, edhe dramatike. Pyes: si
do të ishte përgjigjur Jezusi, çfarë do të kishte bërë përballë problematikave aktuale?
Ka një lajmëtar për këtë, që është shën Gjon Pagëzuesi, paraardhësi i misionit të
Jezusit. Shën Gjon Pagëzuesi u vra pikërisht sepse deshi t’i qëndronte besnik mësimeve
të Zotit, planit të Hyjit. Herodi nuk duhej të jetonte me gruan e të vëllait e shën
Gjon Pagëzuesi nuk gjeti ndonjë zgjidhje të lehtë për këtë situatë. Herodi e kuptoi
fort mirë të vërtetën e shën Gjon Pagëzuesi pagoi për këtë me jetën e vet. Por, ky
mesazh është ai i Jezusit. Kisha ka mision të njëjtë me shën Gjon Pagëzuesin: të tregojë
Krishtin, t’i çojë njerëzit tek Krishti. Imazhi tjetër biblik, që ju vetë
përmendët si shembull të vërtete e mëshire, është takimi i Jezusit me samaritanen.
Krishti i flet kësaj gruaje në pusin e Sikemit, por nuk e fsheh gjendjen e saj të
parregullt… I thotë të vërtetën e kështu, bën një vepër të jashtëzakonshme
mëshire. E vërteta dhe mëshira ecin bashkë, por nuk ka mëshirë pa të vërtetën.