2014-10-08 15:05:26

Papa Françesku: të mos mësohemi me ndarjen ndërmjet të krishterëve, të shohim ç’na bashkon


Katekizmi i sotëm i Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa vijon Sinodi i familjes në Vatikan, pati si temë kryesore ekumenizmin. Nuk duhet të mësohemi me ndarjet ndërmjet të krishterëve, theksoi Ati i Shenjtë, por duhet të lutemi për njëri-tjetrin, të ecim së bashku, të bëjmë vepra bamirësie, duke parë ç’na bashkon. Ndarja e bashkimi i të krishterëve kanë qenë gjithnjë të pranishme në histori, që nga koha e Çenakullit e në vijim:
“Edhe sot, marrëdhëniet nuk karkaterizohen gjithnjë nga respekti e përzemërsia… Por, pyes: si e përballojmë gjithë këtë? Edhe ne mësohemi me këtë ndarje, madje, jemi indiferentë para saj? Apo besojmë fuqishëm se mund e duhet të ndryshojë drejt pajtimit e bashkimit të plotë? Bashkimi i plotë, pra, pjesëmarrja e të gjithëve në Korpin e Gjakun e Krishtit”.
Kur jemi të ndarë, vijoi Papa, i hapim plagë Krishtit. Ati i Shenjtë hodhi vështrimin në të kaluarën, në çarjet e shumta të familjes së krishterë, që mbeten për një kohë aq të gjatë, sa vështirë të kujtohen edhe arsyet e tyre, por sidomos, vështirë të gjenden zgjidhjet. Françesku u vuri vulën e “turpit” të gjitha luftrave të brendshme në Kishën e së kaluarës:
“Arsyet, që kanë sjellë ndarje e përçarje mund të jenë nga më të ndryshmet: që nga mosmarrëveshjet për parimet dogmatike e morale, për konceptimet teologjike e baritore të ndryshme, e deri tek arsyet politike ose të leverdisë, duke arritur në ndeshje edhe për shkak të antipative e të ambicieve personale… E sigurtë është se, në një mënyrë apo në një tjetër, pas këtyre skërmitjeve qëndron gjithnjë mendjemadhësia dhe egoizmi, të cilat janë shkak për çdo mosmarrëveshje, na bëjnë intolerantë, të paaftë për të dëgjuar e pranuar këndvështrimin apo qëndrimin e ndryshëm nga i yni”.
Mësimi, që nxjerrim prej kësaj, është mëse i qartë, sintetizoi Papa: duhet të kërkojmë vazhdimisht bashkimin, në vazhdimësi me atë të Jezusit, në fillimet e krishterimit. Krishti na kërkon të lutemi gjithnjë për bashkimin e të krishterëve e ta hapim zemrën për gjithçka të mirë në njerëzit, që nuk mendojnë si ne:
“Na kërkon të mos e fiksojmë vështrimin në çka na ndan, por në çka na bashkon, duke u përpjekur ta njohim e ta duam më shumë Jezusin e ta ndajmë me të tjerët pasurinë e dashurisë së Tij… Ta ndihmojmë njëri-tjetrin! Por ti e mendon kështu e jo ashtu… Në të gjitha bashkësitë ka teologë të mirë: le të diskutojnë ata, le ta kërkojnë ata të vërtetën teologjike, sepse kjo është detyra e tyre, por ne të ecim së bashku, duke u lutur për njëri-tjetrin e duke bërë vepra mëshire”.
Mendimin e fundit për të përkufizuar “bashkimin në ecje”, apo “ekumenizmin shpirtëror” – siç i quan – Papa Françesku e gjen në një përvjetor personal, që mban datën 8 tetor 1944:
“Sot, unë i jam mirënjohës Zotit, sepse mbushen 70 vjet, që kur kam marrë Kungimin e Parë. Por të gjithë duhet ta dimë se kur marrim Kungimin e Parë, hyjmë në bashkim me të tjerët, në bashkim me vëllezërit e Kishës sonë, por edhe në bashkim me të gjithë ata, që u përkasin konfesioneve të ndryshme, por besojnë në Jezusin. Ta falenderojmë Zotin për Pagëzimin, ta falenderojmë edhe për Kungimin e ta lusim që ky Kungim, ky bashkim, të jetë i të gjithëve”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku iu drejtua veçanërisht promovuesve të Ditës Evropiane për dhurimin e organeve. Uroj, tha Ati i Shenjtë, që me këtë formë të veçantë të dëshmisë së dashurisë për të afërmin të shmangen abuzimet me vdekjen e dhuruesve, e cila duhet të jetë e sigurtë, dhe të luftohet trafiku e shitblerja e organeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.