2014-10-07 11:54:00

Papa: mos i fshihni mëkatet, lutuni e kujtohuni


Kur lutemi, të mos e harrojmë historinë tonë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti ecën krah nesh në jetë dhe i ftoi besimtarët të mos harrojnë të luten, pavarësisht nga angazhimet e shumta të ditës.RealAudioMP3
Papa u ndal në veçanti në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, në të cilin Shën Pali kujton jetën e vet, pa i fshehur mëkatet. Zoti, theksoi Ati i Shenjtë, e zgjodhi popullin e vet dhe e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Kështu bën edhe me secilin prej nesh. Jemi zgjedhur prej Hyjit. “Pse - pyeti Papa - unë jam i krishterë e jo ai tjetri, që as ka dëgjuar të flitet për Jezu Krishtin? Ky është hir – u përgjigj – është hiri i dashurisë së Zotit”. Kjo duhet kujtuar e jo harruar, ashtu siç bën shën Pali apostull, i cili rrëfen haptas se ka qenë persekutues i të krishterëve e pastaj, për hirin e Tënzot, është kthyer në fenë e Krishtit. Kujtimi i tij shkon që në fillim të historisë e jo vetëm që nga çasti, kur bëhet më i mirë, tha Papa:
“Ky zakon, pra, mbajtja në kujtesë e gjithë jetës sonë nuk është aq e përhapur ndër ne. I harrojmë gjërat, jetojmë momentin e pastaj e harrojmë historinë. Por secili prej nesh e ka një histori: histori hiri, histori mëkati, histori udhe e sa e sa gjëra të tjera… E na bën mirë të lutemi përmes historisë sonë. E bën shën Pali, që tregon një pjesë të historisë së vet, por pastaj thotë: ‘Ai[Krishti] më zgjodhi! Ai më thirri! Ai më shpëtoi! Ai ishte shoku im i udhës…”
Kujtimi i jetës sonë, vijoi Papa, është një mënyrë për t’i thurur lavde Zotit. Po kështu, edhe kujtimi i mëkateve, nga të cilat Hyji na ka shpëtuar. Prandaj, shën Pali thotë se mburret vetëm me dy gjëra: më mëkatet e veta dhe me hirin e Hyjit të Kryqëzuar, sepse e kujtonte se Zoti e pati shpëtuar nga udha e keqe, ku kishte hyrë. E kështu duhet të bëjmë edhe ne, këshilloi Ati i Shenjtë:
“Kur Jezusi i thotë Martës: ‘Ti lodhesh e shqetësohesh për shumë gjëra, por ke nevojë vetëm për një gjë të vetme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë’. E cila ishte ajo pjesë? Dëgjimi i Zotit e ruajtja e Fjalëve të Tij në kujtesë. Nuk mund të lutemi çdo ditë, sikur të mos kishim histori. Secili prej nesh ka të tijën. E me këtë histori në zemër, lutemi, si Maria. Por nganjëherë, ashtu si Marta, impenjohemi me punët e ditës, me gjërat që duhet t’i bëjmë pa tjetër dhe e harrojmë këtë histori”.
Marrëdhëniet tona me Zotin, vazhdoi më tej Papa, nuk fillojnë në ditën e Pagëzimit: aty u vihet vula. Ato fillojnë kur Zoti, nga amshimi, na sheh e na zgjedh. Gjithçka fillon shumë më parë, në zemrën e Hyjit:
“Të kujtohemi se Zoti ka zgjedhur pikërisht ne. Ta kujtojmë udhën tonë të besëlidhjes me Të. A e kemi mbajtur besën? Eh, jo: jemi mëkatarë e duhet ta kujtojmë këtë, të kujtohemi për premtimin e Zotit, që nuk zhgënjen kurrë, që është shpresa jonë. Kjo është lutja e vërtetë”.
Papa e përfundoi homelinë, duke i ftuar besimtarët të lutem me Psalmin 138: “O Zot, ti më shqyrton e më njeh, ti e di kur rri e kur ngrihem, prej së largu i njeh mendimet e mia. Si në shtegtoj, si në pushoj, ti më vëren”. Kjo është lutja, theksoi edhe një herë Ati i Shenjtë, ta kujtojmë historinë tonë para Zotit. Sepse ajo është histori e dashurisë së Tij për ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.