2014-10-06 15:41:01

Urata e Rruzares pasqyrim i Ungjillit, na njeh me misteret e Krishtit.


Sonte Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare e me këtë festë, Kisha në një farë mënyre përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar Virgjërës Mari. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim çdo ditë për të mirën e shptimin tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë e nga afër me jetën dhe veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit. Pra duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit Zot. Rruzarja mund të themi është pasqyrim i Ungjillit.

Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, përpos pa e ndie në shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit (Mt 11, 27). Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së Pjetrit thotë: “As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt 16, 17). Pra, është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për të pranuar është i nevojshëm dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e nevojshme e dijes mbi këtë fshehtësi.

Në vazhdim të lutjes së Rruzares flitet mbi disa momente të rëndësishme nga jeta e Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit të tij. Përpos që meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore të Krishtit, për çka flasin shenjat e gëzimit, apo mbi mundimet dhe vdekjen e tij, për çka flasin shenjat e mundimit e deri te Ringjallja triumfale, për çka flasin shenjat e lumturisë, Kisha dëshiron që të meditojmë edhe mbi disa momente nga jeta publike e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës.







All the contents on this site are copyrighted ©.