2014-10-06 12:53:13

Papa Françesku në Sinod: të punojmë me sinqeritet e përvuajtëri për të mirën e familjes


Papa Françesku hapi sot punimet e Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen, në Vatikan. Në fjalën e tij të shkurtër, Ati i Shenjtë u bëri thirrje etërve sinodalë të flasin pa doreza e të dëgjojnë me përvuajtëri. Këto dy qëndrime, theksoi Papa, janë binarët në të cilët duhet të ecë Sinodi. Ju, u tha Françesku ipeshkvijve nga e gjithë bota - ndër të cilët edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra e ai i Konferencës ndërkombëtare Shën Cirili e Metodi, imzot Zef Gashi – jeni zëri i Kishave të veçanta, që bashkohet në një zë në Sinod:RealAudioMP3
“Është përgjegjësi e madhe: të sjellësh realitetet dhe problematikat e Kishave, për t’i ndihmuar të ecin në udhën e Ungjillit të familjes. Një nga kushtet e përgjithshme bazë është ky: të flitet qartë. Askush të mos thotë: ‘Kjo nuk mund të thuhet; do të mendojë për mua kështu e ashtu…’. Duhet thënë gjithçka dëgjohet me parresi (pra, pa doreza)”.
Pas Koncistorit të shkurtit 2014, në të cilin u fol për familjen, tregoi Papa, “një kardinal më ka shkruar: mëkat, sepse disa kardinaj nuk patën guxim t’i thonë disa gjëra për hir të respektit ndaj Papës, duke kujtuar se Papa e mendon ndryshe”:
“Kjo nuk shkon, ky nuk është sinodalitet, sepse duhet thënë gjithçka që me hirin e Zotit, e ndjejmë se duhet thënë: pa respekt [të rremë] njerëzor, pa ndruajtje. E, njëkohësisht, duhet dëgjuar me përvuajtëri e pranuar me zemërgjerësi çfarë thonë sivëllezërit. Sinodaliteti ushtrohet me anë të këtyre dy qëndrimeve”.
Papa Françesku u kërkoi ipeshkvijve të flasin pa doreza e të dëgjojnë me përvuajtëri, por jo vetëm kaq:
“Bëjeni këtë me shumë qetësi e paqe, sepse Sinodi zhvillohet gjithnjë ‘cum Petro et sub Petro’(me Pjetrin dhe nën Pjetrin), prandaj, prania e Papës është garanci për të gjithë e mbrojtje për fenë”.
Duke falenderuar të gjithë ata, që punojnë e do të punojnë për Sinodin, si kardinali Lorenzo Baldisseri, Ati i Shenjtë nënvizoi se dëshiroi që fryma e Sinodit të ishte e pranishme që në zgjedhjen e relatorit, të sekretarit të përgjithshëm dhe të presidentëve delegatë në Sinod:
“Dy të parët u zgjodhën drejtpërdrejt nga Këshilli pas-sinodal, zgjedhur edhe ai nga pjesëmarrësit e Sinodit të fundit. Ndërsa, meqë presidentët delegatë duhen zgjedhur nga Papa, i kërkova Këshillit pas-sinodal të propozojë emra dhe emërova ata, që më propozoi Këshilli”.








All the contents on this site are copyrighted ©.