Më 6 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Brunon, meshtar e murg. Bruno
lindi në Këln rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales së Reimsit, që i
përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua profesor i filozofisë
dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre
ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II. Në vitin 1075 u emërua
kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte njeri i drejtë,
shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan vetëm më 1080,
kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin. I pakënaqur
nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet më pas,
së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi
Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet
malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit jetonin në heshtje, në lutje e në
punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së bashku për të thënë një pjesë
të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në ditët festive. Së bashku me
shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit
të dorëshkrimeve. Lindi kështu Urdhri Çertozin. Në vitin 1088 Urbani II e thirri
në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në vitin 1092,
pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles, vendosi
të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze. Realizoi përsëri idealin e tij murgar
duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi
rishtas një eremitazh sipas stilit të atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth tij u mblodhën
shumë shokë. Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë
e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Gregori XV
më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak, ndërsa një
vit më parë, Papa Benedikti XVI, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte me anëtarët e
Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan më 2008,
e kujtoi kështu Shën Brunon, 907 vjet pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos, i shenjtit
që festohet sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje
e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen
e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin
tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.