2014-10-05 15:19:06

Papa në vigjiljen e Sinodit: Kisha e shoqëria të risohen nga diskutimet për familjen


Kisha e shoqëria të risohen, duke dëgjuar diskutimet e rrahjen e mendimeve në Sinodin për Familjen, e cila të shihet me sytë e Krishtit. Papa Françesku shprehu këtë shpresë në Lutjen e djeshme të mbrëmjes në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e shën Françeskut, me mëse 40 mijë besimtarët e mbledhur rreth tij për t’i uruar punë të mbarë mbledhjes së jashtëzakonshme të ipeshkvijve me temë “Sfidat baritore për familjen, në kuadrin e ungjillëzimit”. Edhe në kulturën e sotme individualiste, nënvizoi Ati i Shenjtë, çdo njeri e ndjen nevojën për një portë të hapur, për dikë që e pret e ndan me të jetën, historinë, për dikë që e dëgjon. Kjo është familja:RealAudioMP3
“Bashkimi i jetës, pranuar nga bashkëshortët, hapja e tyre ndaj dhuratës së jetës, ruajtja e njëri-tjetrit, takimi e kujtesa e brezave, edukimi, transmetimi i fesë së krishterë tek bijtë...: me të gjitha këto, familja vazhdon të jetë shkollë e pashoqe humaniteti, kontribut i domosdoshëm për një shoqëri të drejtë e solidare”.
Se cila është familja, që i jep jetë botës, pavarësisht nga problemet e përditshme të saj, e treguan dëshmitë, që jehuan në sheshin para Bazilikës së Vatikanit, ndërsa dielli perëndonte pas kupolës së mirënjohur. Dy të fejuar drejt martesës; dy prindër me katër fëmijë e me tre të tjerë, që siç thanë vetë, “fluturuan në qiell vetëm pas 10 muajsh shtatzanie” e që pavarësisht nga kjo, kanë marrë në ngarkim një vajzë të vogël në nevojë, të cilën e konsiderojnë tashmë bijën e tyre në shpirt; një çift tjetër, bashkuar sërish nën një kulm, pas gjashtë vjetësh ndarjeje. Këto janë familjet, në qendër të Sinodit të jashtëzakonshëm, dëshiruar nga Papa pikërisht për t’iu përgjigjur aspiratave e problemeve të sotme familjare. E Ati i Shenjtë u tregoi atyre Ungjillin, Fjalën e Zotit, e vetmja që plotëson nevojat më të thella të njeriut, ndërsa etërve sinodalë, Krishtin:
“Sepse, nëse vërtet dëshirojmë t’i verifikojmë hapat tona në terrenin e sfidave bashkohore, kushti vendimtar është ta mbajmë vështrimin të ngulur në Jezu Krishtin, të kundrojmë e të adhurojmë Fytyrën e Tij. Nëse do ta bëjmë tonën mënyrën e tij të mendimit, të jetesës e të krijimit të marrëdhënieve me të tjerët, do ta kemi të lehtë t’i shndërrojmë punimet sinodale në udhëzime e rrugë për baritorinë e njeriut e të familjes”.
Vërtet, shpjegoi Papa Françesku, sa herë kthehemi në burimin e përvojës së krishterë, pra në Krishtin, hapen rrugë të reja e mundësi të pamenduara, sipas shembullit të udhëzimit ungjillor të Zojës në Dasmën e Kanës, “Bëni ç’u thotë Ai”. Është testamenti shpirtëror i Marisë, theksoi Ati i Shenjtë:
“Dëgjimi e konfrontimi mbi familjen, dashur e parë me sytë e Krishtit, do të kthehen kështu, në një rast fatlum për të risuar – sipas shembullit të Shën Françeskut – Kishën e shoqërinë. Me gëzimin e Ungjillit, do të rigjejmë një Kishë të pajtuar e të mëshirshme, të varfër e mike me të varfërit; një Kishë, në gjendje të kapërcejë me durim e dashuri vuajtjet e vështirësitë, që i vijnë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.