2014-10-05 14:37:16

Papa në Engjëllin e Tënzot: familja ecën mirë, nëse ushqehet me Fjalën e Zotit


Që familja të ecë mirë përpara e të qëndrojë gjithnjë e bashkuar, duhet ushqyer me Fjalën e Zotit. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku i ftoi të pranishmit të lexojnë shpesh Shkrimin Shenjt, duke i ftuar të merrnin një Bibël, shpërndarë sot nga paolinët. Gjithashtu, nuk mungoi të flasë sërish mbi Sinodin e jashtëzakonshëm për Familjen, duke kërkuar lutje:RealAudioMP3
“I ftoj të gjithë t’i mbështesin punimet e Sinodit me lutje, duke iu drejtuar Zojës, duke kërkuar ndërhyrjen amnore të Shën Marisë Virgjër. Në këtë çast, bashkohemi shpirtërisht me të gjithë ata, që në Shenjtoren e Pompeit, i lartojnë “Lutjen” tradicionale Zojës së Rruzares. Nxjerrtë nga Zoti paqen për familjet e për mbarë botën”.
Sot, kujtoi më pas Ati i Shenjtë, Ungjilli na paraqet imazhin e vreshtit, si simbol i popullit të zgjedhur prej Hyjit. Ashtu si vreshti, vërejti Papa, edhe populli ka nevojë për shumë përkujdesje, për dashuri e durim. E kujdesi për familjen është njëra nga mënyrat për të punuar në vreshtin e Zotit, tha Françesku:
“Që familja të ecë mirë, me besim e shpresë, duhet të ushqehet me Fjalën e Hyjit. Kjo përkon bukur me faktin se pikërisht sot, vëllezërit tanë paolinë vendosën të shpërndajnë Biblën, këtu, në shesh, e në shumë vende të tjera. Falenderojmë vëllezërit paolinë. E bëjnë këtë, me rastin e njëqind vjetorit të themelimit të tyre, nga ana e të Lumit Giacomo Alberione, apostull i madh i komunikimit”.
Prandaj, sot, ndërsa hapet Sinodi për Familjen, shtoi Papa, me ndihmën e Paolinëve mund të themi:
“Një Bibël për çdo familje! Një Bibël për çdo familje. Jo për ta vënë në raft, por për ta mbajtur afër, që ta lexojmë shpesh, çdo ditë, si individualisht, ashtu edhe së bashku, burrë e grua, prindër e fëmijë, ndoshta në mbrëmje, sidomos të dielave. Kështu familja rritet, ecën, me dritën dhe forcën e Fjalës së Zotit”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në SHBA-të, u shpall e Lume motër Maria Teresa Demjanovich e Murgeshave të bamirësisë të Shën Elizabetës. “Dishepulle e Krishtit – e quajti Françesku – që kaloi një jetë thellësisht të përshpirtshme”. E duke shfrytëzuar Ditën e sotme italiane për zhdukjen e barrierave arkitektonike, Ati i Shenjtë e përfundoi Engjëllin e Tënzot me fjalë të vlefshme për të gjitha administratat politike të botës:
“Inkurajoj të gjithë ata, që punojnë për të garantuar mundësi të barabarta jetese për të gjithë, pavarësisht nga kushtet fizike të çdo individi. Uroj që institucionet dhe çdo qytetar të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj këtij objektivi të rëndësishëm shoqëror”.








All the contents on this site are copyrighted ©.