2014-10-05 13:23:46

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Perandoria Otomane dhe Selia e Shenjtë (XII)


Emisioni i dymbëdhjetë i rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Perandorisë Otomane dhe Selisë së Shenjtë.RealAudioMP3

Selia e Shenjtë e priti me kënaqësi kërkesën për të hyrë në lidhje të drejtpëdrejtë me Portën e Lartë, sepse kjo lidhje i krijonte mundësinë të sqaronte se interesat e Kishës në Lindjen e Mesme nuk kishin kurrfarë lidhjeje me interesat pushtuese të fuqive evropiane. Kështu Selia e Shenjtë distancohej nga modelet e kulturës perëndimore, që në atë kohë po shekullarizohej, mbi bazën e ideologjisë nacionaliste, e papranueshme për Kishën. Në këtë aspekt, këndvështrimi ‘vatikanas’, i bazuar mbi universalizmin katolik, nuk ishte tepër larg nga konceptimi ortoman i shtetit, ashtu si propagandohej nga autoritetet qendrore. Për të mbrojtur bashkësitë katolike, të pranishme në perandori, Selia e Shenjtë u përpoq të përcaktonte fushat e veprimtarisë, në mënyrë që të vendoste lidhjen me udhëheqjen otomane, pavarësisht nga sistemi proteksionist, duke vepruar me shumë kujdes për të mos hyrë në konflikt me fuqitë katolike evropiane. Mishi duhet të piqej, po helli të mos digjej!
Kujtojmë se në shekujt XVII e XVIII u vu në jetë një formë primitive poteksionizmi apo vetëmbrojtjeje: merkantilizmi. Synimi ishte të forcoheshin ekonomitë vendase, duke kufizuar në kulm importin. Në shekullin XVII ekonomia e lirë kapitaliste, që kishte si vijë kryesore politike konkurencën e lirë, e kufizonte proteksionizmin në sektorët më të dobët të prodhimit e, sidomos, në sektorin e bujqësisë, që ishte më pak i zhvilluar si dhe të industrisë, në fasha. Në shekullin XIX vërehet lindja e një lloj teorie proteksioniste, që u njoh si e “shtetit tregtar të mbyllur”. Kjo teori iu kundërvu tregut të lirë (free trade), duke e konsideruar si të papërshtatshëm për kohën. Vetëm aty nga gjysma e shekullit XIX, falë ringjalljes ekonomike të shteteve të rrënuara nga lufta, doli në plan të parë nevoja e tregut të lirë.
Po Selia Apostolike nuk kërkonte treg të lirë, as kufij të hapur, për të shitur mallërat e saj. Kërkonte kufij të hapur për të predikuar Krishtin. Duke nisur nga viset, ku kishte lindur, kishte predikuar, ishte kryqëzuar e ngjallur. Përgjithësisht në Tokën e Shenjtë, veçanërisht, në Jeruzalem. Hapat e parë në këtë drejtim u bënë në fillim të Papnisë së Piut IX. Ishte Porta e Lartë ajo që, në vitin 1847, pasi vlerësoi gatishmërinë e Selisë së Shenjtë, i hapi rrugën lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të kësaj Selie me Sulltanin-kalif të Stambollit. Me sa thuhet, ideja e misionit i qe këshilluar Vezirit të Madh nga një prift napolitan, gjysëm ngatërrestar e gjysëm studiues i çështjeve Lindore, që jetonte në Stamboll. Ideja i pëlqeu shumë sulltanit Abdyl Mexhidi (1839-1861) i cili dha urdhër të fillonin sa më shpejt kontaktet e para me Romën.








All the contents on this site are copyrighted ©.