2014-10-03 17:27:45

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusit e vazhdon mësimi e tij mbi vreshtin e Zotit, një shëmbëlltyrë e dashur nga profetët e nga mbarë populli hebre, sepse vreshta e Zotit është simbol i vet popullit të tij.
Në shëmbëlltyrën e vreshtit, Jezusi vënë në pah durimin e zemërgjerësinë e Zotit që përkujdeset dhe mbaron vreshtin e vet dhe plotë durim, pret frytet e saj të besnikërisë e të veprave të mira, por edhe mbrapshtinë e vreshtarëve që, nuk i njohin e nuk i pranojnë të drejtat e Pronarit, duke refuzuar e vrarë të dërguarit e madje edhe djalin e tij. Me këtë shëmbëlltyrë, Jezusi na mëson se dhuratat që fitojmë, duhet të japin fryte. Ne jemi vreshta e Zotit. Ai kujdeset për ne, na udhëheq e na mbaron.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 5, 1-7)
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin.
Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë.
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat!

Fjala e Zotit.

Psalmi 80 (79)
Ref: Vreshti i Zotit është populli i tij
____________________________
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
_____________________________
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
_____________________________
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
_____________________________
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
_____________________________
Leximi i dytë (Fil 4, 6-9)
Hyji që jep paqen, do të jetë me ju.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka - me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua - atë bëni - dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 21, 33-43)
Vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’
Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja

Fjala e Zotit!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu...







All the contents on this site are copyrighted ©.