35. Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit
të Marisë” par. 69,70
Në paragrafin 69 e 70, të veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar
nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, kapitulli “Të vërtetat themelore të
devocionit të Marisë” shpjegohet ç’do të thotë të jemi me vetëdije “skllevër të
Krishtit”, për hir të dashurisë që kemi për të.
69. Ka dy mënyra mbi këtë
tokë për t’i përkitur një tjetri e për t’u varur nga autoriteti i tij: shërbimi i
thjeshtë e skllavëria; prej këndej, ne e quajmë njërin shërbëtor, tjetrin, skllav. Në
skllavëri, njeriu varet plotësisht nga një tjetër përgjithëjetë e duhet t’i shërbejë
zotërisë së tij, pa pritur kurrfarë pagese a shpërblimi, si të ishte kafshë, të cilën
i zoti mund ta lërë gjallë, ose ta mbysë.
70. Ka tri lloje skllavërish: skllavëri
natyrore, skllavëri të detyruar, skllavëri të vullnetshme. Të gjitha krijesat janë
skllave të Zotit, në mënyrën e parë: “E Zotit është toka e gjithçka përmban” (Ps 24,1);
demonët e të dënuarit, në mënyrën e dytë; të drejtët e shenjtorët, në të tretën. Skllavëria
vullnetare është më e përkryera e më e lumnueshmja për Zotin, që shikon zemrën, që
pyet zemrën, e që quhet Zoti i zemrës e i vullnetit ... sepse me këtë skllavëri zgjidhet
Zoti dhe shërbimi i tij mbi të gjitha sendet, edhe kur natyra nuk e kërkon.