Në audiencën e përgjithshme, gjatë përshëndetjes për shtegtarët e pranishëm në Sheshin
e Shën Pjetrit, Papa Françesku kujtoi se tetori është muaji i Rruzares Shenjte. Prandaj,
ftoi të meditojmë për udhën e veprën e Krishtit, duke e parë me sytë e shën Marisë: “Në fillim të
këtij muaji, kushtuar meditimit të jetës së Marisë e të Birit të vet, në misteret
e Rruzares Shenjte, ju ftoj të gjithëve të luteni sipas ndjeteve të Kishës, sidomos
për Sinodin e Ipeshkvijve, që i kushtohet familjes. Lutuni edhe për mua!”. E
në përshëndetjen përfundimtare për shtegtarët e gjuhës italiane: “Me gëzim
përshëndes shtegtarët e shumtë të Opus Dei-it, shoqëruar nga Prelati, imzot Javier
Echevarrìa, ardhur këtu me rastin e lumnimit të imzot Alvaro Del Portillo e i këshilloj,
sipas shembullit të të Lumit të ri, të vazhdojnë ta shenjtërojnë jetën, me besnikëri
ndaj Krishtit e Ungjillit”. Duke përshëndetur edhe të tjerët, Ati i Shenjtë
kujtoi se sot është festa liturgjike e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtore e
misioneve. Papa u kërkoi të rinjve, që dashuria e saj për Kishën të jetë mësim për
jetën e tyre shpirtërore; u kërkoi të sëmurëve t’i përballojnë çastet më të vështira
me lutje, ashtu si shenjtja; e u tha të sapomartuarve ta bazojnë lidhjen e tyre mbi
respektin e besnikërinë e ndërsjellë.