2014-10-01 15:25:27

Në Indi mbyllet katedra universitare me emrin e Nënë Terezës


Autoritetet akademike indiane lajmëruan mbylljen e katedrës për “Shëndetin, edukimin dhe punën shoqërore”, kushtuar Nënë Terezës, së Lumes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë. Kjo katedër ishte pjesë e Universitetit të Hapur Kombëtar Indira Gandi, në Nju Delhi, por tashmë, ka ndërprerë të gjitha leksionet e kurset për mungesë fondesh.
Sipas zv.kancelarit të universitetit, z. M. Aslam, “edhe disa anëtarë të personelit akademik e kanë kritikuar këtë vendim”. Ndërkaq, ambientet katolike protestojnë. Në një notë, aktivisti katolik John Dayal, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të përbashkët të krishterë indian, dënon ashpër këtë hap dhe e fton universitetin të gjejë sponsor privatë për rihapjen e katedrës.
“Mbyllja e katedrës kushtuar Nënë Terezës – shkruan Dayal për agjencinë katolike Fides – mbërrin gjatë fushatës globale për shenjtërimin e saj. Themeluesja e Misionareve të Dashurisë është ikonë e mëshirës dhe e dhembshurisë njerëzore ndaj më të varfërve ndër të varfër, ndaj fëmijëve e të sëmurëve të pashërueshëm. Sari i bardhë me shiritat blu është simbol universal i këtyre vlerave, për të cilat India ka shumë nevojë”.
Katedra u themelua në shkurt të vitit 2000, falë një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Konferencës Ipeshkvnore të Indisë dhe Universitetit të Delhit. Gjatë këtyre viteve ka nisur një sërë programesh studimi në fushën e sociologjisë, duke synuar të kontribuojë në zgjidhjen e disa problemeve shoqërore në Indi. Ndër argumentet e shumta të kurseve, që zhvillonte kjo katedër, bënin pjesë edhe fenomene si Sida, edukimi për jetën familjare, apo problemet e drogës në shoqërinë indiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.