2014-09-30 13:36:38

Papa: duhet të shmangim ankesat e kota e të lutemi për ata që vuajnë me të vërtetë


Edhe ankesat, në çastet e errëta, bëhen lutje, por duhet të ruhemi nga “ankesat e kota”. Këtu e vuri theksin gjatë meshës së mëngjesit, në shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku, duke u nisur nga një fragment prej Librit të Jobit. Ati i Shenjtë përmendi edhe tragjeditë e mëdha të të krishterëve, që dëbohen nga shtëpitë e tyre për shkak të fesë, dhe tha se i përjeton ato thellësisht. RealAudioMP3
Jobi mallkon ditën në të cilën u lind, lutja e tij duket si mallkim. Papa Françesku u përqendrua gjatë homelisë tek leximi i parë, në të cilin Jobi mallkon jetën e vet. “U vu në provë – tha Papa – humbi të gjithë familjen, humbi të gjitha pasuritë, humbi shëndetin dhe tërë trupi i tij u bë plagë, plagë e neveritshme”. Në atë çast, nënvizoi Françesku, “i soset durimi e thotë ato gjëra. Janë të pahijshme! Por ai ishte mësuar të thoshte gjithmonë të vërtetën dhe kjo është e vërteta, që ai ndjen në atë çast”. Edhe Jeremia, kujtoi Ati i Shenjtë, “përdor gati të njëjtat fjalë: ‘Mallkuar dita kur u linda!’”. “Por, ky njeri, a blasfemon? Kjo është pyetja – tha Papa – ky njeri që ka mbetur vetëm, kështu, në këtë gjendje, a blasfemon?”.
“Jezusi, kur ankohet – ‘Atë, pse më braktise?’ – a blasfemon? Ky është misteri. Shumë herë kam dëgjuar njerëz, që përjetojnë situata të vështira, të dhimbshme, që kanë humbur shumë ose ndjehen të vetmuar e të braktisur, prandaj ankohen e bëjnë këtë pyetje: pse? Pse? Ngrenë krye kundër Hyjit. E unë them: Vijo të lutesh kështu, sepse kjo është lutje’. Lutje ishte edhe ajo që bëri Jezusi, kur i tha Atit të vet: ‘Pse më braktise?’”.
Edhe ajo që bën Jobi këtu është lutje, sepse të lutesh do të thotë të qëndrosh para Hyjit me vërtetësi. E Jobi nuk mund të bënte ndryshe. “Lutemi me realitetin – shtoi – lutja e vërtetë del nga zemra, nga çasti që dikush përjeton”. “Është lutja e çasteve të errëta të jetës, ku nuk ka shpresë, ku nuk shihet horizonti”:
“E shumë njerëz, shumë, sot, janë në gjendjen e Jobit. Shumë njerëz të mirë, si Jobi, nuk kuptojnë çfarë u ka ndodhur, pse janë bërë ashtu. Shumë vëllezër e motra nuk kanë shpresë. Le të mendojmë tragjeditë, tragjeditë e mëdha, për shembull: vëllezërit tanë që, për faktin se janë të krishterë, dëbohen nga shtëpitë e mbesin pa asgjë: ‘Por, o Zot, unë kam besuar në ty. Pse? Të besosh të ty, qenka mallkim, o Zot?’”.
“Le të mendojmë pleqtë e mënjanuar – vijoi – le të mendojmë të sëmurët, të vetmuarit, të shtruarit nëpër spitale”. Për të gjithë këta njerëz, por “edhe për ne, kur ecim në errësirë, Kisha lutet. Kisha lutet! E merr mbi vete këtë dhimbje dhe lutet”. Ndërsa ne, “pa sëmundje, pa uri, pa nevoja të mëdha – vërejti Françesku – kur kemi pak errësirë në shpirt, mendojmë se jemi martirë e nuk lutemi më”. Ka nga ata që thonë: “Jam zemëruar me Hyjin, nuk shkoj më në meshë!”. “Po pse?”, pyet Papa. “Për diçka fare të vogël”, përgjigjet. Papa Françesku kujtoi se Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, gjatë muajve të fundit të jetës, “mundohej të mendonte për qiellin, ndjente brenda vetes si një zë, që i thoshte: ‘mos u bëj e marrë, mos bëj përfytyrime. A e di çfarë të pret? Asgjëja!’”:
“Shpesh herë kalojmë nëpër këtë gjendje, e përjetojmë këtë gjendje. E shumë njerëz mendojnë vetëm se do të përfundojnë në asgjë. Por ajo, Shën Tereza, lutej e kërkonte forcën për të ecur përpara, në errësirë. Kjo do të thotë të hysh në duresë. Jeta jonë është shumë e lehtë, ankesat tona janë ankesa teatrale. S’janë asgjë përballë kësaj, përballë ankesave të shumë njerëzve, të shumë vëllezërve e motrave, që janë në errësirë, që pothuajse e kanë humbur kujtesën, shpresën, që jetojnë të dëbuar nga vetetja, janë të dëbuar, edhe nga vetja. E Jezusi e ka përshkuar këtë udhë: nga ajo mbrëmje në Malin e Ullinjve deri tek fjala e fundit mbi kryq: ‘Atë, pse më ke braktisur?’”.
Françesku foli për dy gjëra, që mund të jenë të dobishme. “E para: të gjendemi gati për kur të vijë errësira”, e cila ndoshta nuk do të jetë aq e rreptë si për Jobin “por do të vijë koha jonë e errësirës. Duhet ta përgatisim zemrën për këtë çast”. E dyta: “Të lutemi si lutet Kisha, me Kishën, për shumë vëllezër e motra, që vuajnë dëbimin nga vetvetja, në errësirë e në vuajtje, pa shpresë”. E lutja e Kishës, përfundoi Papa, duhet t’i mbështesë këta ta vuajtur, që gjenden gjithkund.








All the contents on this site are copyrighted ©.