Kardinali Parolin në OKB: të bashkuar kundër terrorizmit
Për të ruajtur paqen në botë, kemi nevojë për një angazhim të ri të Kombeve të Bashkuara
kundër sulmeve terroriste. Kështu tha dje, në sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme
të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro
Parolin, i cili foli për krizat nëpër botë. Në qendër të fjalës
së tij, edhe persekutimi kundër të krishterëve e pakicave. “Delegacioni im – pohoi
prelati – dëshiron të kujtojë se është e ligjshme dhe urgjente që për të ndaluar agresorin,
të ndërhyhet me një aksion shumëpalësh e me përdorimin me masë të forcës”. Por, kujtoi
kardinali Parolin, e kemi për detyrë e përgjegjësi të mbrojmë më të brishtët. Sekretari
i Shtetit të Vatikanit vuri në dukje se deri tani, bashkësia ndërkombëtare është shprehur
me zëra kontradiktorë e madje, edhe ka heshtur krejtësisht përpara konflikteve në
Siri, në Lindjen e Mesme e në Ukrainë. “Këtu, nuk mund të mos përmend të krishterët
e shumtë e pakicat etnike, që gjatë muajve të fundit janë persekutuar ashpër në Irak
e në Siri. Kërkesat e tyre – theksoi kardinali Parolin – duhet të jenë angazhim i
vazhdueshëm për respektimin e promovimin e të drejtave të çdo njeriu, ashtu siç e
ka dashur e krijuar Zoti”. Kardinali bën thirrje për aksione të përbashkëta të
të gjitha kombeve, duke shmangur përdorimin e vetos kundër propozimeve të njëri-tjetrit,
në mënyrë që OKB-ja të luajë vërtet rolin, që i takon e që është i nevojshëm në këtë
çast historik.