2014-09-30 15:15:13

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë


Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, të cilën po e rilidhim pas shkëputjes trejavore për shkak të vizitës së Papës Françesku në Shqipëri, jemi në kapitullin e gjashtë të Ungjillit sipas Markut, vargjet 17-29. Ky fragment tregon rrethanat e dënimit të Gjon Pagëzuesit me prerje koke nga ana e Herodit.RealAudioMP3
Tregimi është i gjatë dhe me shumë hollësi, që meritojnë vëmendje të veçantë, por do të ndalemi kryesisht tek karakteristikat e figurave kryesore, të cilat janë të përfshira në këtë ngjarje. Së pari, Herodi. Ai ishte qeveritari i judenjve, por “e kishte frikë Gjonin” (v. 20). Është frika e njeriut, që e di se ka gabuar, por dëshiron të mbetet në gabim. Përballë tij, megjithëse në burg, gjendet Gjon Pagëzuesi. Herodi e dinte se Gjoni ishte “i drejtë dhe i shenjtë”. Me këto dy karakteristika zakonisht përshkruhet Hyji në Bibël, prandaj Hyji kishte zgjedhur një njeri të lidhur fort me të, për të kumtuar ardhjen e Krishtit. Përveç frikës, që buron nga gjendja e tij e çrregullt, për shkak të lidhjes me Herodiadën, Herodin e shoqërojnë dy ndjesi të tjera kundrejt Gjonit: kënaqësia, kur e dëgjonte duke folur, dhe paaftësia për të marrë vendime në përkim me predikimin e tij.
Mes Herodit e Gjonit spikat figura e Herodiadës. Ndjenjat e saj janë të ftohta dhe të qarta: ajo kishte “mëri” ndaj Gjonit dhe “dëshironte ta vriste”. Konteksti në të cilin zhvillohen ngjarjet është ai i festës për ditëlindjen e mbretit Herod. Në dalldinë e bashkësisë në festë, Herodi bën premtimin fatal të njeriut të pushtetshëm. I thotë bijës së herodiadës, pasi ajo e deh me vallëzimin e saj: “Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap” (v. 22). Në këtë dalldi bëhet i pranishëm dikush që ishte në burg: Gjon Pagëzuesi. Kërkohet vdekja e të drejtit dhe e të shenjtit. Sigurisht, këtu kemi të bëjmë me martirizimin e Gjonit, por kemi të bëjmë mbi të gjitha me shenjën e qartë që jep historia për fatin e Jezusit, të cilin Gjoni e kishte shpallur si Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatet e botës. Mëkati shkakton vdekje, prandaj duhet vdekja e të drejtit dhe e të shenjtit për të mundur mëkatin dhe vdekjen. I drejti dhe i shenjti është Jezusi, por Gjoni, i cili e ka dëshmuar Jezusin me fjalë, e vulos dëshminë e tij me derdhjen e gjakut. Në fund të kësaj ngjarjeje, Herodi mbetet “i trishtuar” (v.26), dhe zhduket për t’u rishfaqur përsëri në fund të Ugjillit, kur Krishti do të gjykohet me kryqëzim. Flijimi i Gjonit i paraprin gjykimit të Krishtit dhe falë flijimit të Krishtit shndërrohet nga ngjarje fatale në martirizim të lavdishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.