2014-09-29 17:37:08

Papa: pleqëria është kohë hiri. E ardhmja varet nga takimi i të rinjve me të moshuarit


Festë e madhe për të moshuarit e të gjithë botës. Sheshi i Shën Pjetrit mblodhi dje dhjetra mijëra vetë për takimin e Papës Françesku me gjyshërit, ardhur nga të gjitha kontinentet. Ngjarja u organizua nga Këshilli Papnor për Familjen e pati për temë “Bekimi i jetës së gjatë”. Në fazën e parë, qe i pranishëm edhe Papa i nderit, Benedikti XVI, i cili u përqafua me dashuri me Papën Françesku në tremen e Bazilikës së Vatikanit. Pas dëshmive prekëse të të moshuarve, Ati i Shenjtë kremtoi meshën, në homelinë e së cilës komentoi takimin ndërmjet shën Marisë e kushërirës së saj më të moshuar, Elizabetës, duke e paraqitur si shembull takimi ndërmjet brezave. E nuk harroi të përmendë edhe Shqipërinë.
Por pa dyshim, dialogu ndërmjet Papës e të moshuarve, para meshës, është ai, që u mbeti në mend të gjithëve, sidomos të pranishmëve, që kishin ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit edhe me shkop e karrocë, shoqëruar nga bijtë e nga nipat e mbesat. Shihej një zonjë, që mbante lart një pankartë, ku tregonte për 106 vjetët e saj; ndjehej forca e dëshmive, si ajo e çiftit të refugjatëve irakianë, martuar që prej 51 vjetësh, ikur nga persekutimi. Papa i falenderoi në mënyrë të veçantë:
“Është bukur, që keni ardhur këtu sot: është dhuratë për Kishën. E ne ju ofrojmë afërsinë tonë, lutjen e ndihmën konkrete. Dhuna kundër të moshuarve është çnjerëzore, njëlloj si ajo kundër fëmijëve. Por Zoti nuk ju braktis, është me ju! Me ndihmën e tij, ju jeni e do të vazhdoni të jeni kujtesa e popullit tuaj; po ashtu edhe për ne, për familjen e madhe të Kishës. Faleminderit!”
Gjyshërit, vijoi Ati i Shenjtë, kanë një detyrë të madhe, atë të transmetimit të përvojës së jetës, të historisë së familjes, të bashkësisë, të popullit. Ata ndajnë urtinë e fenë me brezat e rinj e kjo është trashëgimia më e çmuar, që lënë pas:
“Lum ato familje, që i kanë gjyshërit afër! Gjyshi është dy herë atë e gjyshja është dy herë nënë. E në ato vende, ku persekutimi kundër fesë ka qenë i tmerrshëm – mendoj për shembull për Shqipërinë, ku isha të dielën e kaluar – në ato vende, kanë qenë gjyshërit që i çonin fëmijët fshehurazi për t’i pagëzuar, për t’u dhënë atyre fenë. Iu lumtë! Janë treguar të fortë gjatë persekutimit dhe e kanë shpëtuar fenë në ato vende!”
Duke pasur parasysh gjendjen e familjeve, ku të rinjtë punojnë, pa pasur kohë të kujdesen gjithë ditën për të moshuarit, Papa Françesku vuri në dukje se shtëpitë për të moshuar janë të nevojshme, por duhet të jenë humane:
“Mirëse të vijnë shtëpitë për të moshuarit… me kusht që të jenë vërtetë shtëpi e jo burgje! E të jenë për të moshuarit e jo për interesat e ndokujt tjetër! Nuk duhet të ekzistojnë institute, ku të moshuarit jetojnë të harruar, të fshehur, të lënë mënjanë”.
Shtëpitë për të moshuarit, theksoi Papa Françesku, duhet të jenë mushkëri humanizmi, shenjtërore humanizmi, ku i moshuari mjekohet e shihet me kujdes, si të ishte vëllai, apo motra e madhe. E të rinjtë duhet të shkojnë t’i shohin shpesh, sepse u bën mirë edhe atyre të bisedojnë me një të moshuar. Edhe një herë, Ati i Shenjtë e ngriti zërin kundër kulturës së hedhurinave, të mënjanimit, ku komandon “paraja”:
“Jemi të thirrur të gjithë ta kundërshtojmë këtë kulturë të helmatisur të hedhurinave! Ne të krishterët, së bashku me gjithë njerëzit vullnetmirë, jemi të thirrur të ndërtojmë me durim një shoqëri të ndryshme, më mikpritëse, më njerëzore, më gjithëpërfshirëse, që nuk ka nevojë të mënjanojë më të dobtin në trup e në mendje, përkundrazi, të jetë një shoqëri, që e mat ‘hapin’ e vet pikërisht me këta njerëz”.
Një popull, që nuk kujdeset për të moshuarit, për gjyshërit e vet, nuk ka të ardhme. S’ka gjë më të bukur për fëmijën, se sa të përkëdhelet nga gjyshi, apo gjyshja, nënvizoi Papa, para se të kremtonte meshën, e cila mbylli ditën e djeshme së bashku me Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Zoja e Bekuar qe shembulli, që la për të gjithë Ati i Shenjtë:
“Kështu Shën Maria Virgjër na tregon rrugën: udhën e takimit ndërmjet të rinjve e të moshuarve. E ardhmja e një populli e ka të nevojshme këtë takim: të rinjtë i japin forcë për të ecur popullit e të moshuarit e përforcojnë atë më tej me kujtesën e urtinë popullore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.