Përtej dokeve Është ende e përhapur ideja sipërfaqësore
dhe sasiore e sjelljes fetare të grupeve apo njerëzve të ndryshëm (a thua se feja
mund të matet vetëm duke u mbështetur tek përkatësia sociologjike apo tek përdorimi
i disa dokeve fetare lehtësisht të vërtetueshme: mesha, sakramentet, lutjet, devocionet,
lëmoshët…). Këto keqkuptime i ushqejnë edhe disa kërkime sociofetare, që kodifikojnë
sipas kritereve të veta shkallën e fesë dhe të përkatësisë kishtare, që, nëse nga
një farë pikëpamjeje na detyron t’i hapim sytë mbi disa situata të mjerueshme, nga
ana tjetër nuk e shteron dot fenomenin e ndërlikuar të fesë së grupeve apo individëve
të caktuar. Përtej dokeve dhe pamjes
së jashtme e juridike, ekziston edhe prania dhe ndikimi i qartë ungjillor tek disa
shtresa të popullsisë, që në pamje të jashtme duken të parëndësishme dhe pa lidhje
me fenë. Feja, sic e jetojnë shumë
të krishterë ka disa nivele e disa mënyra për t’u përjetuar. Mund të përjetohet si
një sërë dokesh, devocionesh, ritesh që duken se nuk kanë asnjë kuptim; si një pikëpamje
për botën dhe për gjërat; si kriter gjykimi për njerëzit, vlerat, ngjarjet. Mund të
paraqitet si kod moral e normë sjelljeje, apo si lidhje fe-jetë, domethënë si sintezë
në rrafshin e gjykimit e të veprimit, ndërmjet mesazhit të Ungjillit dhe kërkesave
e zotimeve të jetës vetjake e të përbashkët. I krishteri i vërtetë e lidh fenë me jetën. “PO”-ja e fesë së tij bëhet “po”-ja
e jetës së tij; fjala e shpallja me gojë bëhen veprim e gjest i duarve e i veprave
të tij. Kështu, ajo që e dallon “po”-në nga “jo”-ja nuk kalon përmes dokeve dhe zbatimit
të ligjeve, por përmes jetës. Lexim prej Librit të Ezekielit profet
(Ez 18,25-28) Kështu thotë Zoti: "Ju thatë: ‘Nuk është
e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes
sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse,
kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të
padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që
e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: ai pleqëron
imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo,
nuk do të vdesë". Fjala
e Zotit Psalmi Ref. Le të bie ndërmend, o Zot, dashuria
jote Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua e m’i mëso shtigjet e tua. Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im, Të të bien në mend mëshirat
e tua, o Zot, dhe dashuria jote që
është e amshueshme. Mos i
kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë: të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate - për hir të mirësisë sate, o Zot. I ëmbël
e i drejtë është Zoti, mëkatarët
i kthen në udhë të drejtë, të përvuajtëve
u prin në drejtësi, të butëve
ua mëson udhën e vet. Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Filipianëve (Fil 2,1-11) Vëllezër, nëse, vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri,
nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni
gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi!
Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbajeni
njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën
e të tjerëve. Kini në ju po ato ndjenja
që ishin në Krishtin Jezus: i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk
e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe,
për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen
në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit Aleluja! Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti, unë i njoh dhe ato vijnë pas meje Aleluja! Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (Mt 21,28-32) Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve
dhe krytarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem.
Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai iu përgjigj: ‘Nuk
dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu
përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e
të atit?” I thanë: “I pari!” “Përnjëmend po ju them: - vazhdoi Jezusi
- tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni
ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan,
ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.” Fjala e Zotit Në Besëlidhjen e Vjetër,
kur flitet për dëgjimin e Fjalës së Hyjit, nuk kemi të bëjmë asnjëherë me veprimtarinë
mekanike të dëgjimit, as me aspektin teorik e intelektual të njeriut që e merr Fjalën
dhe ndërton me të një filozofi apo një fe. Dëgjimi është i lidhur ngusht me zbatimin
e menjëhershëm ose të dalëngadalshëm të asaj që dëgjohet. Në fakt, në Bibël gjejmë
shpesh shprehjen: “çfarë thotë Zoti do ta bëjmë e do ta dëgjojmë”. Pra “bërja”, zbatimi
i fjalës i paraprin dëgjimit dhe vendos themelet e tij. Marrëdhënia me Zotin është
marrëdhënie e gjallë dhe vepruese. Ai, duke u folur njerëzve, u jep linfën, energjinë
për të vepruar pa frikë se po ndërtojnë mbi pasiguritë e tyre. Fjala e tij është “dritë
për hapat tanë” thotë psalmisti, ndërsa Pjetri, më vonë, do t’i thoshte Jezusit:
“Ti ke fjalët e jetës së pasosur”. Në ungjillin e sotëm, dy djemtë përfaqësojnë fenë
si teori dhe si mënyrë jete. Shpesh herë feja është nderim sipërfaqësor ndaj Hyjit,
është “po”-ja e thënë për të shprehur një nderim ndaj tij, që nuk prek thellë sjelljet
dhe qëndrimet tona në jetën e përditshme. Nganjëherë, ata që i thonë “jo” Hyjit, domethënë
ata që nuk mendojnë se mund të marrin përsipër barrën e një jete në dëgjim të fjalës
së tij, sot mund të themi jobesimtarët, e nderojnë Hyjin me anë të veprave. Veprat
e njeriut, “puna në vreshtin e pronarit”, nuk shërbejnë për të na nxjerrë prej tij
shpëtimin, sepse ne u shpëtuam falas, por tregojnë më së miri sinqeritetin e fjalëve
tona. Hyji na e ka drejtuar fjalën e tij dhe ne e dimë mirë veprimin e asaj fjale
që u bë njeri në Krishtin, por, cila është fjala që ne i drejtojmë atij dhe çfarë
vlere ka ajo? Dy djemtë e Ungjillit
të sotëm janë pasqyra që na jep Jezusi për të parë veten tonë në lidhje me Fjalën
e Hyjit. Sot zgjodhëm një pjesë
nga letrat e shën Polikarpit, që flet për pastërtinë e veprimeve të njerëzve që e
kanë pranuar Krishtin si fjalën shpëtimtare të Hyjit. Ta dëgjojmë… U
shpëtuat falas (Nga
Letra e Shën Polikarpit martir drejtuar Filipianëve) Polikarpi e priftërinjtë që janë me të, Kishës së Hyjit, që banon si shtegtare
në qytetin Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit
shpëtimtarit tonë u dikofshin begatisht mbi ju! Marr pjesë plotësisht në gëzimin tuaj në Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse keni
zbatuar dashurinë më të vërtetë. Keni ndihmuar në udhën e tyre shenjtërit e lidhur
me vargonj, me vargonjtë që janë byzylykë e margaritarë të mirëfilltë për ata që u
zgjodhën nga Hyji e nga Zoti ynë. Gëzohem, sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që u
kumtua para jush që në fillim, qëndron deri më sot dhe mbart fryte në Jezu Krishtin
Zotin tonë. Ai, për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ringjalli,
duke e zgjidhur nga ankthi i vdekjes” (Vap 2,24) e ju besoni në të, pa e parë, me
gëzim të madh e të lavdishëm, gëzim që shumë vetë e dëshirojnë. Ju e dini mirë se
u shpëtuat falë hirit, jo falë veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit, me anë të
Jezu Krishtit (Ef 2,8-9). “Prandaj,
pasi të jeni përgatitur me mend për të vepruar”, (1Pj 1,13), “shërbejini Hyjit me
frikë” (Ps 2,11) e me vërtetësi, duke i lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet
trashanike dhe “duke besuar në atë që e ngjalli Zotin tonë Krishtin nga të vdekurit
dhe i dha lavdi” (1Pj1,21), sepse e uli në të djathtën e vet. Atij i nënshtrohen të
gjitha gjërat në qiell e në tokë, atij i bindet cdo qenie e gjallë. Ai do të vijë
për t’i gjykuar të gjallët e të vdekurit e Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun
e tij atyre që nuk besuan në të. Ai që
e ringjalli nga të vdekurit, do të na ringjallë edhe ne, nëse do të kryejmë vullnetin
e tij, nëse do të jetojmë sipas urdhërimeve të tij e nëse do të duam çfarë deshi ai,
duke e larguar çdo padrejtësi, mashtrim, shpifje, dëshmi të rreme, “duke mos e kthyer
të keqen me të keqe, as dëmin me dëm” (1 Pj 3,9), goditjen me goditje, mallkimin me
mallkim, por duke mbajtur parasysh mësimin e Zotit, i cili tha: Mos gjykoni e nuk
do të gjykoheni; falni e do t’u falet; jini të mëshirshëm e do të gjeni mëshirë; me
atë masë me të cilën do të matni, do t’u matet edhe juve (khs Mt 7,1) dhe: lum të
varfërit e të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e
qiejve (khs Mt 5,3.10). |
All the contents on this site are copyrighted ©. |