2014-09-24 16:30:44

Kardinali Parolin në mbledhjen për klimën: e kemi për detyrë morale të veprojmë


Kur është fjala për ndryshimet e klimës e për mënyrën si po ndikon mbi to njeriu, nuk mund të mos e ndjejmë për detyrë të veprojmë: kështu tha dje në Nju Jork, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në Takimin për klimën, në kuadrin e Asamblesë së 69-të të përgjithshme të OKB-së. RealAudioMP3
Kemi përgjegjësi para Zotit për Gjithësinë, e krijuar prej Tij, të cilën duhet ta ruajmë e ta mbrojmë edhe për brezat e ardhshëm. Kardinali Parolin vuri në dukje se tashmë, gati të gjithë shkencëtarët e pranojnë se duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, Toka po ngrohet e kjo, edhe për shkak të ndërhyrjes pa kriter të njeriut. Njëkohësisht, rritet edhe vetëdija e bashkësisë ndërkombëtare për rreziqet:
“Nuk ka vend për atë globalizim të indiferencës, për atë ekonomi përjashtuese, për atë kulturë të hedhurinave, që denoncohen kaq shpesh nga Papa Françesku”.
Nëse duam të kemi sukses në luftën kundër ngrohjes globale, vazhdoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duhet të ndjekim një rrugë të mirëpërcaktuar:
“Është e nevojshme të vemë në jetë një përgjigje kolektive, bazuar në kulturën e solidaritetit, të takimit e të dialogut, që duhet të jetë në bazën e marrëdhënieve normale brenda çdo familjeje e, që kërkon bashkëpunimin e plotë e të përgjegjshëm, angazhimin e të gjithëve, sipas mundësive dhe rrethanave”.
Kardinali Parolin bëri të vetën idenë e OKB-së për mbrojtjen e ambientit në të cilin jetojmë, duke nënvizuar përgjegjësinë e përbashkët të shteteve në marrjen e masave, në shkëmbimin e teknologjive e të njohurive, të cilat do t’i lejojnë botës ta përballojë fenomenin, duke lehtësuar efektet e ndryshimit të klimës, që janë ngushtësisht të lidhura edhe me varfërinë:
“Të vetme, forcat e tregut, sidomos nëse u mungon orientimi i duhur etik, nuk mund të zgjidhin krizat, që kanë të bëjnë me ngrohjen globale, varfërinë dhe përjashtimin shoqëror, të gjitha të ndërvarura. Sfida më e madhe ndodhet në sferën e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor”.
Por çdo politikë, theksoi kardinali Parolin, duhet të bazohet mbi etikën, e cila duhet ta orientojë modelin e ardhshëm të zhvillimit e stilin e jetës, duke ndrequr mosfunksionet e shtrembërimet e shumta. Është kultura, mendësia, ajo që duhet ndryshuar fillimisht, nënvizoi përfaqësuesi i Vatikanit në Takimin mbi klimën. Kardinali dha edhe shembullin e Selisë së Shenjtë, e cila po impenjohet për të zvogëluar konsumin e lëndëve djegëse fosile, duke realizuar projekte për efikasitetin energjitik. E tërë Kisha impenjohet në fushën e ekologjisë, pasi është e bindur se shkatërrimi i natyrës ndikon për keq në kulturën e bashkëjetesës njerëzore dhe respektimi i natyrës është i lidhur me ekologjinë njerëzore në shoqëri:
“Selia e Shenjtë i jep rëndësi të madhe nevojës për t’i edukuar njerëzit me përgjegjësinë për ambientin, duke u përpjekur të mbrojë edhe kushtet morale për një ekologji të vërtetë njerëzore”.
Duhen rizbuluar vlerat themelore, mbi të cilat të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë familjen jerëzore. Në këtë drejtim, edhe thirrja e përgjithshme e OKB-së, që njerëzimi të marrë përsipër përgjegjësitë për uljen e ngrohjes globale. 120 krerët shtetërorë të pranishëm (me përjashtim të Kinës e të Indisë) u ftuan të veprojnë sa më shpejt për të dalë nga emergjenca. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u kërkoi qeverive të angazhohen për të arritur një marrëveshje universale për klimën në Takimin e Parisit, që do të mbahet në vitin 2015, si edhe të veprojnë për ta kufizuar rritjen e temperaturës globale në më pak se 2 gradë. “Klima – nënvizoi presidenti amerikan Barak Obama, nga ana e tij – po ndryshon shumë më shpejt se përpjekjet tona për ta përballuar. Është kërcënimi numër një i shekullit”. SHBA-të dhe Kina, pranoi Obama përgjegjësinë e dy shteteve të botës që e ndotin më shumë atmosferën se të tjerët, duhet ta udhëheqin botën në luftën kundër ngrohjes globale.








All the contents on this site are copyrighted ©.