2014-09-23 14:38:18

Papa: të mos e ndërlikojmë Ungjillin, ta dëgjojmë e ta jetojmë


Jeta e krishterë është “e thjeshtë”: duhet dëgjuar Fjala e Zotit dhe duhet vënë në praktikë, pa u kufizuar në “leximin” e Ungjillit, por duke e pyetur veten në ç’mënyrë fjalët e tij i flasin jetës sonë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.RealAudioMP3
Fjalët e Jezusit, nënvizoi Papa në predikimin e tij, u dukeshin njerëzve krejtësisht të reja e të thëna me autoritet. Ata e ndjenin forcën shëlbuese, që shpallnin, prandaj e ndiqnin Jezusin. Por, kishte edhe nga ata, që e ndiqnin “për leverdi”, pa zemër të sinqertë, ose thjesht nga dëshira “për të qenë më të mirë”. Në këto dymijë vjet krishterim, vuri në dukje Ati i Shenjtë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Edhe sot, shumë e dëgjojnë Jezusin si ata nëntë të gërbulurit e Ungjillit, të cilët lumturohen kur shërohen prej Tij, por e harrojnë Atë, që u dhuroi shëndetin:
“Por Jezusi vazhdonte t’u fliste njerëzve dhe t’i donte, e donte turmën deri në atë pikë sa thotë ‘këta që më ndjekin, kjo turmë e stërmadhe, janë nëna dhe vëllezërit e mi, …këta janë’. E shpjegon: ‘ata, që e dëgjojnë Fjalën e Zotit, e zbatojnë në praktikë’. Këto janë dy kushtet për ta ndjekur Jezusin: të dëgjojmë Fjalën e Zotit dhe ta zbatojmë në praktikë. Kjo është jeta e krishterë, asgjë më shumë. Krejt e thjeshtë. Ndoshta, e kemi bërë ne pak si të vështirë, me kaq shumë shpjegime, që s’i kupton askush, por jeta e krishterë është kështu: dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe zbatimi i saj në praktikë”.
Ja përse, siç thuhet në pjesën nga Ungjilli i shën Lukës, Jezusi i përgjigjet kështu të afërmve, që po e kërkonin: “Nëna e vëllezër të mi janë ata, që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe e vënë në jetë”. E për të dëgjuar Fjalën e Zotit, Fjalën e Jezusit, vijoi Papa Françesku, mjafton të hapim Biblën, Ungjillin. Por këto faqe, theksoi, nuk duhen lexuar, duhen dëgjuar. “Të dëgjosh Fjalën e Zotit – këshilloi Ati i Shenjtë – do të thotë të lexosh Ungjillin e të thuash: ‘Po mua, ç’më thotë kjo pjesë, ç’i thotë zemrës sime?’ E jeta juaj ndryshon”:
“Sa herë që e bëjmë këtë – hapim Ungjillin e lexojmë një pjesë e pyesim: ‘Me këtë, a më flet Zoti, a më thotë diçka mua? E çfarë më thotë?’ – kjo do të thotë ta dëgjojmë Fjalën e Zotit, ta dëgjojmë me veshë e ta dëgjojmë me zemër. T’ia hapim zemrën Fjalës së Zotit. Armiqtë e Jezusit e dëgjonin Fjalën e Tij, por i qëndronin afër, duke u përpjekur ta kapnin në gabim, në mënyrë që t’i binte autoriteti. Por kurrë nuk e pyesnin veten: ‘Çfarë më thotë Zoti me këtë Fjalë?’ E Zoti nuk flet vetëm në përgjithësi: po u flet të gjithëve, por i flet edhe secilit prej nesh. Ungjilli është shkruar për secilin prej nesh”.
Sigurisht, vijoi Papa Françesku, ta vemë në jetë atë që dëgjojmë nuk është e lehtë, sepse është shumë më e lehtë të jetojmë pa u shqetësuar nga kërkesat, që mban me vete Fjala e Zotit. Rrugë konkrete për ta bërë këtë, kujtoi Ati i Shenjtë, janë ndjekja e Urdhërimeve të Tënzot dhe e Lumnive të Ungjillit. Duke u mbështetur gjithnjë tek ndihma e Hyjit, edhe kur zemra jonë dëgjon, por bën sikur nuk kupton. Zoti është i mëshirshëm e di të presë:
“Jezusi i pret të gjithë, edhe ata që shkojnë ta dëgjojnë Fjalën e Zotit e pastaj e tradhëtojnë. Të mendojmë për Judën. ‘Mik’ i thotë, e në të çast kur Juda e tradhëton. Zoti e mbjell gjithnjë Fjalën e vet, kërkon vetëm një zemër të hapur për ta dëgjuar e vullnet të mirë për ta vënë atë në jetë. Prandaj, lutja e sotme të jetë ajo e Psalmit: ‘Më prij o Zot në shtegun e urdhërimeve të tua’, pra, në shtegun e Fjalës tënde, që unë, nën udhëheqjen tënde, të mësoj si ta zbatoj në praktikë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.