2014-09-21 11:50:43

Udhëtimi Apostolik në Shqipëri: Homelia e Meshës(tekst i plotë)


Ungjilli i sotëm na thotë se, përveç Dymbëdhjetë Apostujve, Jezusi thërret shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshatra e qytete për të kumtuar Mbretërinë e Hyjit (cfr Lk 10,1-9.17-20). Ai erdhi për të sjellë në botë dashurinë e Hyjit e dëshiron ta përhapë përmes bashkimit e vëllazërisë. Prandaj formon menjëherë bashkësinë e dishepujve, bashkësi misionare, e atje i stërvit për mision, për ‘të shkuar’. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë: dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim: “Paqe në këtë shtëpi!” (v 5.). Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë: paqja! Duke ardhur sot mes jush, të dashur vëllezër e motra të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, dëshiroj ta përsëris këtë pëshëndetje: paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!

Në misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve: Zoti i ringjallur e i gjallë nuk nis vetëm të dymbëdhjetët, por nis Kishën mbarë, nis çdo të pagëzuar për t’ua kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh, jo gjithnjë u pranua kumti i paqes, i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit; nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria që, në kohët e apostullimit të Palit, përfshinte edhe trojet e Shqipërisë së sotme.

Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.

Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizimit të ri misionar për të gjithë ata, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit: secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në shoqëri. Secili duhet ta ndjejë veten të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë; për të fuqizuar lidhjet e solidaritetit, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë. Sot erdha t’ju jap zemër ta përfoconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit; Ungjilli i Tij ju tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rrezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së njerëzve, të çdo njeriu.

Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë, ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin shoqërisë. Posaçërisht u drejtohem të rinjve. Ishin shumë, që nga udha prej aeroportit e deri këtu. Po ky është popull i ri, shumë i ri e ku është rinia, është edhe shpresa. Dëgjojeni Zotin, adhurojeni Zotin a duajeni njëri tjetrin, si popull si vëllezër. Mos kini frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që ju fton ta ndiqni! Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve.
Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.