Kthehemi 21 vjet pas, për të kujtuar një shtegtim tjetër apostolik, atë të Gjon Palit
II: E Papën Shenjt po e përkujtojmë me fjalët testament që ua la shqiptarëve
me rastin e vizitës historike të 25 prillit të 1993 në Shqipëri. Nga sheshi Skenderbe
i Tiranës, Papa Vojtila mes tjerash u tha shqiptarëve: “Ajo që ka ndodhur në Shqipëri,
të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit…. Ju sot
keni fituar lirinë në një mënyrë krejt të veçantë, pa gjak. Jeni ngjitur lart mrekullisht,
nga një greminë tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se po shuhej gati çdo motiv i arsyeshëm
besimi, zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall guximi për të qëndruar, u
ndez përsëri drita e shpresës. Po kjo liri besimi fetar, të cilën ju më në fund
po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e
fesë, por është dhuratë për të gjithë, sepse liria fetare është themeli i garancisë
për çdo shprehje të lirisë. Ajo e prek njeriun thellë, në atë cep të shenjtë dhe të
padhunueshëm që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton
vetëdijen e plotë të dinjitetin të vet. Një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet,
nuk ka përse t’i trembet asnjë çrregullimi shoqëror. Besimi i çiltër në të vërtetë,
nuk i përçan njerëzit, por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyre. Sikur
na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi
vëllezër. Kështu që feja është Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit, jep një
kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimeve
të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm e konstruktiv. Popull
Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në këtë çast shembullin tënd në këtë drejtim. Që
Tri Bashkësitë fetare kanë marrëdhënie respekti reciprok e bashkëpunimi me
frymë të thellë njerëzore. Vijoni kështu, Vëllezër e Motra të dashura! Ju do të keni
merita për solidaritetin dhe për paqen në Atdheun tuaj dhe në krejt zonën e shumëvuajtur
të Ballkanit. Kështu, ju mund të ndërtoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qëndrueshëm.Kjo,
Fjala e Gjon Palit II, e sot, pas 21 vjetësh, modeli i bashkëjetesës fetare të shqiptarëve
i kapërcen kufijtë e Ballkanit, për t’u përhapur në mbarë botën e trazuar pikërisht
nga konfliktet, nga Papa i dytë që shkel në trojet shqiptare, Françesku!