Më 26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, me një kremtim solemn liturgjik, në praninë
e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte
katedralen e vet Shën Palit Apostull. Shtatë vjet më vonë, ky kushtim merrte një rëndësi
të veçantë, kuadruar në Vitin kushtuar dymijëvjetorit të ditëlindjes së Shën Palit,
i pari nga Apostujt e Krishtit, që mendohet të ketë shkelur në trevat shqiptare për
të mbjellur ndër to farën e mirë të Ungjillit të Krishtit, e cila mbiu e u rrit e
vaditur me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre trojeve,
duke arritur një nga kulmet nën diktaturën komuniste.Prandaj edhe i dërguari i Papës
Gjon Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, gjatë homelisë
vuri theksin pikërisht mbi persekutimin e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature
e edhe rolin e tyre sot, duke u lënë shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në
emër të Papës: “Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej
këndej për të dashur të afërmin”. Kështu, dymbëdhjetë vjet më parë, në zemër
të kryeqytetit të Shqipërisë, katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën
Palit Apostull. Po ngrehina kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera,
që zbukurojë qendrën e Tiranës, nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur
të gjithë, edhe pse, përveç misionit të saj kryesor, që është ai fetar, katedralja
e Shën Palit në Tiranë është edhe qendër kulture e arti. Është vetëm dymbëdhjetë
vjeçare, ndër më të voglat në moshë, përballë katedraleve madhështore të krishtërimit
kushtuar Apostullit të Popujve, që lartohen në kryeqytetet e botës prej mijëra vjetësh
e ku punuan artistë të pavdekshëm. Por gjithsesi as asaj nuk i mungojnë veprat e artit:
madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo
hyn në Katedrale, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar,
që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta,
realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena nga jeta e Shën Palit. U shtohet
edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin e parë të katedrales, imzot
Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit u ngrit ky tempull. E një tjetër
përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që shkeli në Shqipëri. Ai nuk e pa
të kryer katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin e saj të parë. Ka pra edhe
shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet të dalin nga duart e artistëve
shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim i pashterrshëm frymëzimi e
se prej tij janë frymëzuar Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli… për të mos kujtuar artistë
të tjerë të mëdhenj të të gjitha kohërave e kombeve. Duhen kujtuar, pastaj, veprimtaritë
e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore. Katedralja ka korin e saj tejet
të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet
fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike
e kulturore gjatë gjithë vitit. Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale është
kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që në shekullin
XIII e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Burimi më i lashtë, që na flet
për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekullin IV, është vëllimi VII
i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”, e cila përshkruan
pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë.