Intervistë e Kardinalit Pietro Parolin në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri
Sot gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” botoi intervistën e sekretarit të Shtetit
të Shenjtërisë së tij, kardinalit Pietro Parolin me gazetaren vatikanase Barbara Castelli,
në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, realizuar nga Qendra Televizive
e Vatikanit me titull: “Mbaroi edhe dimri i gjatë”:
Pyetje: -
Gjatë shtegtimit nga Seuli në Romë, Papa Françesku, duke folur me gazetarët, shpjegoi
arsyet e shtegtimit të tij në Shqipëri, posaçërisht për t’i dhënë zemër gjithë popujve
ta pranojnë frymën e dialogut, që vihet në jetë në Tiranë: një qeveri e unitetit kombëtar
me pjesëmarrjen e islamikëve, ortodoksëve e katolikëve. Të punosh së bashku, pra,
qenka e mundur?
Përgjigje: - Është i mundur dialogu. Është e mundur
kultura e takimit, mbi të cilën ngul këmbë Papa. E do të desha të nënvizoja faktin
se Papës i pëlqen të flasë me shembuj konkretë, me modele. Shqipëria është një nga
këta shembuj, një nga këto modele. Që kur u bë e pavarur, rreth një shekull më parë,
duke u shkëputur nga Perandoria Otomane, zgjodhi rrugën e shtetit me shumë fe. E zgjedhja
e kësaj rruge për t’ i përfshirë të gjithë, për t’iu kundërvënë çdo lloj diskriminimi
fetar, pati vlerë të madhe gjatë shekullit të kaluar, tejet të trazuar, përplot me
konflikte – e ka vlerë edhe për ditët tona - përballë shumë situatave, në të cilat
shikojmë sesi feja bëhet pretekst për t’u ndeshur, për t’u shkatërruar reciprokisht.
Prandaj besoj se vendimi i Papës Françesku për të shkuar në Shqipëri nënvizon pikërisht
këtë: pavarësisht nga vështirësitë ekonomike - që i njohim të gjithë e që nuk janë
aspak të vogla – ky vend zgjodhi rrugën për të mos e përdorur kurrë fenë si shkak
për konflikte.
Pyetje: - Çfarë ndihmese ka dhënë Selia e Shenjtë për
rindërtimin e Shqipërisë?
Përgjigje: - Selia e Shenjtë ka qenë shumë
e pranishme në rindërtimin e Shqipërisë. Mund të nisemi nga kohët e fundit, edhe pse
marrëdhëniet me Shqipërinë fillojnë shumë më parë e kanë qenë gjithnjë plot gjallëri:
që nga viti 1991, kur u vendosën marrëdhëniet pas rënies së regjimit komunist, duke
i krijuar Kishës kushtet të rifillonte jetën e edhe të hynte përsëri në radhët e shoqërisë
shqiptare. Pasoi, pastaj, shtegtimi i Gjon Palit II, që e konsolidoi këtë rol, e fuqizoi
praninë dhe kontributin, që i jep Kisha vendit. E akoma, ndërmjet çasteve më themelore,
mund të kujtojmë nënshkrimin e dy marrëveshjeve, më 2002 e 2007, për marrëdhëniet
reciproke, në përgjithësi, e edhe për çështjet ekonomike e financiare, në veçanti.
Falë këtyre hapave, Selia e Shenjtë i shoqëroi çastet e rindërtimit e të përtërijes
së vendit. Natyrisht Papa Françesku, me këtë vizitë, ecën në këtë vazhdë, për të dhënë
një ndihmesë të mëtejshme.
Pyetje: - Si mund ta ndihmojë Selia e Shenjtë
Shqipërinë, e cila, që nga muaji qershor, është zyrtarisht kandidate për të hyrë në
Bashkimn Evropian? Cilat janë problemet më të ngutshe që duhet t’i zgjidhë Shqipëria?
Përgjigje:
- Shqipëria doli nga një periudhë e gjatë dimri dhe izolimi nga vendet e tjera.
Selia e Shenjtë i jep zemër dhe e mbështet në integrimin evropian, duke kujtuar gjithashtu
ndihmesën e veçantë që sjell në këtë integrim; mund të kujtojmë trashëgiminë e saj
shpirtërore, të ruajtur pavarësisht nga shtypja fetare, nga persekutimi fetar, prandaj
duhet kujdesur e duhet mbajtur gjallë. Mund të nënvizojmë, për shembull, edhe ndjenjën
e thellë të familjes, që karakterizon shoqërinë shqiptare. Pikërisht me nënvizimin,
që i pëlqen aq shumë Papës: me vlerësimin e rolit të të rinjve, që janë ardhmëria;
e të të moshuarve, nga ana tjetër, që janë kujtesa, që kanë një pasuri të vërtetë
urtie e përvoje, e cila meriton të vlerësohet. Prej këndej themi se vetëm duke sjellë
këto pasuri e këto veçori karakteristike, Shqipëria mund të ndihmojë në mënyrë të
frytshme në projektin e integrimit evropian. E dua të kujtoj edhe disa fjalë, që i
pati thënë Gjon Pali II në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, më 1988,
me vlerë për të gjitha vendet e, posaçërisht, për Shqipërinë, me që po flasim për
të: “Nëse Evropa dëshiron të jetë besnike ndaj vetvetes, duhet të dijë t’i mbledhë
në një të gjitha forcat e gjalla të këtij Kontinenti, duke respektuar karakterin e
veçantë të çdo vendi” (Strasburg, 8 tetor). Më duket se pikërisht në këtë kuadër
e shikon dhe e vlerëson Selia e Shenjtë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pyetje: - A mund të luajë Shqipëria një rol të rëndësishëm për të ardhmen
e Ballkanit dhe për forcimin e stabilitetit të gjendjes në rajon?
Përgjigje:
- Sigurisht. Para së gjithash sepse u gjet, në një farë kuptimi, në një situatë
të privilegjuar në krahasim me ish-Jugosllavinë; – duke qenë se nuk bënte pjesë në
të, nuk përjetoi tronditjen e shpërbërjes konfliktuale që e goditi atë vend – e pastaj
falë politikës tradicionale të fqinjësisë së mirë me vendet kufitare. Këto dy elemente
mund ta ndihmojnë me siguri stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Pastaj duhet kujtuar
edhe ajo që thamë në fillim e që përbën lajtmotivin e vizitës së Papës: bashkëjetesa
paqësore dhe bashkëpunimi i grupeve fetare. Edhe kjo më duket shumë e rëndësishme
në rajonin e Ballkanit e mund të jetë me të vërtetë shembull për t’u ndjekur.
Pyetje:
- Një tjetër çështje, që Papa Françesku e ka për zemër: tema e lirisë fetare,
në një vend – Papa e theksoi gjithnjë gjatë fluturimit nga Seuli – ku në të shkuarën
janë rrënuar 1820 kisha. Si është gjendja sot?
Përgjigje: - Liria fetare respektohet;
e në këtë kontekst, Kisha e ka nisur prej kohësh rindërtimin e vet, edhe pse ka shumë
rrugë për të bërë. Përndjekja ka qenë tejet e ashpër, shumë e rëndë; rrënimtare, mund
të themi. Përveç kishave, përveç rrënimit të të gjitha vendeve të kultit, mund të
kujtojmë edhe eliminimin e pothuajse të gjithë personelit kishtar. Më duket se para
ardhjes së komunizmit kishte rreth 180-200 priftërinj. Në fund, më 1990 kishin mbetur
vetëm 33. Kjo tregon se vepronte politika e zhdukjes tërësore të personelit kishtar.
Pastaj Shqipëria filloi të rindërtohej e në vitin 2000 u shuguruan priftërinjtë e
parë, shumë të rinj e të reja përqafuan jetën rregulltare, ndërsa laikët po gjejnë
rolin e tyre. Domethënë, kemi shpresë. Edhe pse bie gjithnjë një kambanë alarmi: shpresojmë
se Shqipëria nuk do t’ia hapë rrugën valës së shekullarizimit, që karakterizon të
gjithë kontinentin evropian. Është e rëndësishme, mendoj, të themi se një vend ku
Hyji është eliminuar, është mohuar me ligj, duhet të na mësojë të jetojmë me Zotin,
të mos pranojmë tundimin e një jete nga e cila dëbohet ose mënjanohet Hyji.
Pyetje:
- Papa do të takojë edhe meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët
dhe anëtarët e lëvizjeve laikale. Si është sot jeta e Kishës në Shqipëri? Cilat janë
karakteristikat e saj të veçanta?
Përgjigje: - Është një Kishë e re,
sepse ka shumë, shumë të rinj e shumë të krishterë që e pranojnë fenë. Është një Kishë
që ka maritirizimin si notën karakteristike dhe duhet të them se dëshmia e martirëve
vlerësohet nga të gjithë, sepse është dëshmia e faljes së përndjekësve. Kisha karakterizohet
nga feja e thjeshtë e të moshuarve, të cilët kanë ditur ta ruajnë e ta përçojnë përtej
kësaj periudhe të mundimshme e të trazuar nga përndjekja. Një kishë misionare, gjithashtu,
mbi të gjitha në kuptimin që ka pranuar shumë misionarë, sidomos pas rënies së regjimit,
duke qenë se kleri vendas ishte zhdukur pothuajse fare. Misionarët që shkuan në Shqipëri,
kanë qenë bujarë. Shumica janë italianë e ndoshta kanë dhënë ndihmesën kryesore. Këto
janë, më duket, karakteristikat kryesore të kësaj Kishe, që duhet të shndërrohen në
punë të mëtejshme, për të vijuar rritjen dhe përçimin e fesë si dhe vlerësimin e të
gjitha aspekteve të saj.
Pyetje: - Cilët shpreson se mund te jenë frytet
e këtij udhëtimi të Papës Françesku në Tiranë?
Përgjigje: - Frytet i
di Zoti. Mendoj se mund të përmblidhen në moton e caktuar: “Së bashku me Hyjin, drejt
shpresës që nuk zhgënjen”. Pra Papa do të vijë për të përforcuar punën e bërë gjatë
këtyre viteve e për t’i dhënë hov të ri, si për shpalljen e Ungjillit, për fenë, ashtu
edhe për bashkëjetesën paqësore e të frytshme ndërmjet realiteteve të ndryshme fetare
në vend.