2014-09-19 15:04:37

Papa: identiteti i krishterë përkryhet me Ringjalljen


Udha e jetës, që përshkon i krishteri, përfundon me Ringjalljen. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar fjalët e Shën Palit, shkëputur nga Letra e parë drejtuar Korintianëve, nënvizoi se të krishterët duket se nuk e kanë aq të lehtë të besojnë në shndërrimin e trupit të tyre pas vdekjes. RealAudioMP3

Papa, pra, e përqendroi homelinë mbi Leximin e parë, në të cilin e shikojmë Shën Palin duke u përpjekur për të bërë një qortim të vështirë, atë të Ringjalljes. Apostulli i Popujve i drejtohet bashkësisë së të krishterëve të Korintit. Ata besonin se Krishti u ngjall e na ndihmon nga qielli, por nuk e kishin të qartë nëse do të ngjallemi apo jo edhe ne, një ditë. Ata, vijoi Françesku, mendonin ndryshe; po, të vdekurit shfajsohen, nuk shkojnë në skëterrë, shumë bukur! Po ku shkojnë atëhere? Shkojnë në kozmos, në ajër, e atje shpirti rri përballë Zotit, po vetëm shpirti.
Edhe Shën Pjetri, vijoi Papa, në agun e Ringjalljes ngarend tek Varri e nis të mendojë se dikush e kishte vjedhur trupin e Jezusit. E po kështu, edhe Maria Madalenë. Nuk u hynte në kokë, vërejti Papa, Ringjallja e vërtetë. Nuk arrinin ta kuptonin kalimin tonë nga vdekja, në jetë, përmes Ringjalljes. Në fund, komentoi Papa, e pranuan Ringjalljen e Jezusit, sepse e panë, por ringjalljen e të krishterëve nuk e kuptonin kështu. Pastaj, kur Shën Pali shkoi në Athinë e nisi të flasë për Ringjalljen e Krishtit, dijetarët grekë, filozofët, mbetën krejtësisht të pataksur:
Po, ringjallja e të krishterëve është shkandull, nuk arrijnë ta kuptojnë. Prandaj e bën Pali këtë arsyetim, arsyeton kështu: ‘Nëse Krishti u ngjall, si mund të thonë disa nga ju se nuk ka ringjallje prej së vdekurish? Nëse Krishti u ringjall, edhe të vdekurit do të ringjallen’. Ka kundërshtime, kur bëhet fjalë për shndërrimin, nuk besohet lehtë se Shpirti Shenjt, që e morëm në Pagëzim, na shndërron në fund të fundit, duke na ringjallur. E kur ne flasim për këtë me gjuhën tonë njerëzore, themi: “Po, unë dëshiroj të shkoj në Qiell, nuk dua të përfundoj në skëterrë’. Por ndalemi këtu. Asnjë nga ne nuk thotë: “Unë do të ringjallem, si Krishti’: jo. Edhe ne e kemi vështirë ta kuptojmë këtë”
Është më e lehtë, vijoi, të mendosh për një panteizëm kozmik. E kjo, sepse nuk arrijmë ta kuptojmë se e si do të shndërrohemi, fjalë kjo e pëdorur nga Pali: “Do të shndërrohemi. Trupi ynë do të shndërrohet”. Kur ndonjë burri a gruaje i duhet të bëjë ndërhyrje kirurgjike, vijoi Papa, ka frikë, sepse o do t’i heqin ndonjë gjë, o do t’ia shtojnë… do ta shndërrojnë, në se mund të shprehemi kështu. E, ripohoi me forcë se me Ringjalljen, të gjithë do të shndërrohemi:
Kjo është e ardhmja, që na pret e po ky, fakti që na shtyn të bëjmë rezistencë: rezistencë ndaj shndërrimit të trupit tonë. Edhe rezistencë ndaj identitetit të krishterë. Do të them edhe më: ndoshta nuk kemi aq shumë frikë nga Apokalipsi i Djallit, i Antikrishtit, që duhet të vijë së pari; ndoshta nuk kemi shumë frikë. Ndoshta nuk kemi aq shumë frikë nga zëri i Kryeengjëllit ose nga tingulli i mprehtë i borisë: do të jetë fitorja e Zotit. Frika nga ringjallja: të gjithë do të shndërrohemi. Do të jetë fundi i udhës së krishterë, ai i shndërrimit”.
Tundimi i atyre, që nuk besojnë në Ringjalljen e të vdekurve, vijoi Papa, lindi që kur Kisha ishte në fasha. E kur Palit iu desh t’u fliste për këtë Selanikasve, në fund, për t’i ngushëlluar e për t’u dhënë zemër, shqiptoi një nga frazat më të rrëmbushura me shpresë, që gjinden në Besëlidhjen e Re. E thotë: “Do të rrimë me Zotin, kështu, me trupin tonë e me shpirtin tonë”. Ja, pra, shtoi Papa, ky është identiteti i krishterë: “Të rrimë me Zotin, kështu, me trup e me shpirt”. Kjo, pohoi në vijim, është udha drejt ringjalljes. E nëse ne jemi mësuar të rrimë me Zotin, frika që mund të kemi nga shndërrimi i trupit tonë, zhduket.
Ringjallja, tha akoma Papa, do të jetë si rizgjim. Jobi thotë: unë do ta shoh me sytë e mi. Jo shpirtërisht, vërejti Ati i Shenjtë, jo! Me trupin tim, me sytë e mi të shndërruar. Identiteti i krishterë, vërejti, nuk përfundon me një ngadhënjim të përkohshëm, me një mision të bukur; identiteti i krishterë përkryhet me Ringjalljen e trupave tonë, me Ringjalljen tonë:
“Atje është fundi, ku shuhet etja përballë fytyrës së Zotit. Identiteti i krishterë është ecje, është udhë, që e bëjmë pëkrah me Zotin, si ata dy dishepujt, që ndenjën me Zotin gjithë mbrëmjen, sepse gjithë jeta jonë është e thirrur të rrijë me Zotin e – në fund të fundit, pas zërit të Kryeengjëllit e tingullit të borisë - për të qenë gjithnjë me Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.