2014-09-19 15:09:51

Intervistë e Kardinalit Pietro Parolin në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri


Në një intervistë me gazetaren e Qendrës Televizive Vatikanase Barbara Castelli, në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, u shpreh se “Papa Françesku vendosi të shkojë në Shqipëri për të nënvizuar faktin se ky vend ka zgjedhur të mos e përdorë kurrë fenë si arsye ndeshjesh e përplasjesh”. Kardinali tha se “Shqipëria doli nga dimri i gjatë i izolimit” dhe “mund të japë ndihmesën e vet në procesin e integrimit evropian”. Në intervistën e gjatë, që pritet të botohet e plotë nesër në gazetën Osservatore Romano, kujtohet, ndër të tjera, përndjekja e tmerrshme që pësoi Kisha në Shqipëri gjatë diktaturës dhe përmendet tradita e pasur shpirtërore e shqiptarëve. I pyetur për gjendjen aktuale të Kishës në Shqipëri, Sekretari i Shtetit u përgjigj se “Kisha është e re, me shumë të rinj e shumë njerëz që i afrohen fesë”. “Martirizimi, që ka karakterizuar jetën e Kishës, - u shpreh kardinali Parolin - është dëshmi të cilën e çmojnë të gjithë, sepse është dëshmia e faljes së përndjekësve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.