Papa në audiencën e përgjithme: Kisha është katolike e apostolike, për udhë drejt
botës
Kisha është universale, sepse lindi ‘për udhë”, domethënë, misionare, e lidhur gjithnjë
me zinxhirin e gjatë, që zu fill nga kumtimi i parë i Dishepujve. Kështu i shpjegoi
Papa, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit,
dy karakteristikat e veçanta të Kishës, që është “katolike” e “apostolike”. Papa e
përfundoi audiencën duke u kërkuar besimtarëve ta shoqërojnë me lutje gjatë shtegtimit
të tij në Shqipëri, të dielën e ardhshme.
Po të kishte qenë një rreth për
pak të zgjedhur, nuk do të kishte pasur një histori prej dymijë vjetësh e një shtëpi
të madhe, sa bota. E, falë pasojave të Rrëshajëve, është bashkësi që i flet të gjitha
gjuhët e gjindet gjithkund. Papa Françesku u shpjegoi shtegtarëve, mbledhur në audiencën
e përgjithshme, kuptimin e epiteteve kryesore të Kishës. Katolike universale, domethënë
e krijuar nga Shpirti i Shenjtë, që e bëri misionare qysh prej orës zero - e apostolike
- sepse e mbështetur mbi dëshminë e Dymbëdhjetë Apostujve, hallkat e para të zinxhirit
të gjatë të fesë: “Fjala e Hyjit sot lexohet në të gjitha gjuhët, të gjithë
e kanë Ungjillin në gjuhën e vet, për ta lexuar. E kthehem tek i njëjti koncept; është
gjithnjë mirë ta marrim me vete një Ungjill të vogël, ta kemi në xhep, në çantë e
gjatë ditës, të lexojmë një pjesëz. Kjo na bën mirë. Ungjilli është i përhapur në
të gjitha gjuhët, sepse Kisha, kumtimi i Jezu Krishtit Shëlbues, jehon në botën mbarë.
E prandaj thuhet se Kisha është katolike, sepse është universale”. Për Papën
Françesku, katoliciteti, në thelb, është porta që një ditë u rrotullua mbi çivitë
e Çenakullit e u hapi dishepujve udhën për të dalë, për t’u nisur mbë udhë drejt botës
së madhe: “Nëse Apostujt do të kishin mbetur të mbyllur aty, në çenakull, pa
dalë për ta çuar kudo Ungjillin, Kisha do të ishte vetëm Kishë e këtij populli, e
këtij qyteti, e këtij çenakulli. Por të gjithë dolën nëpër botë, nga çasti i lindjes
së Kishës, nga çasti kur zbriti mbi ta Shpirti i Shenjtë. E prandaj Kisha lindi ‘për
udhë’, në dalje, domethënë, misionare”. Prej këndej amullia nuk ka të bëjë
me ADN-në e Kishës. Apostujt vihen për udhë, arrijnë në toka të largëta, themelojnë
atje kisha të reja. E të gjithë ne, sot, kujtoi Papa Françesku, vijojmë udhën e këtij
grupi Apostujsh, që mori Shpirtin e Shenjtë e, pastaj, kapërceu pragun e portës e
doli e u nis për udhë për të predikuar: “Është Shpirti i Shenjtë, që kapërcen
çdo kundërshtim, që fiton mbi tundimin për t’u mbyllur në vetvete, ndërmjet pak të
zgjedhurve, e për ta mbajtur veten si mbartës të vetëm të bekimit të Hyjit. Nëse,
për shembull, disa të krishterë e bëjnë këtë e thonë: ‘Ne jemi të zgjedhur, vetëm
ne!’, në fund vdesin. U vdes shpirti një herë, pastaj edhe trupi, sepse nuk kanë jetë,
nuk janë të aftë për të krijuar jetë, njerëz të tjerë, popuj të tjerë; nuk janë apostolikë”. Atëhere
mund të themi se të bësh pjesë në një Kishë katolike e apostolike, do të thotë, nënvizoi
Papa, ta kesh fort për zemër shëlbimin e mbarë njerëzimit, të mos jesh indiferent
e as i huaj, kur bëhet fjalë për fatin e vëllezërve të shumtë, në pritje, por ta hapësh
zemrën, të jesh solidar ndaj tyre. Do të thotë të jesh i vetëdijshëm se feja jonë
lidhet me zinxhirin e gjatë, që vjen nga Apostujt e pasardhësit e tyre, kumtues pa
kufij të Ungjillit. E këtu, Papa Françesku u ndalua posaçërisht tek jeta heroike e
shumë e shumë misionarëve e misionareve që, përsëriti, e lanë atdheun e tyre, për
të shkuar larg, në të katër anët e botës e për t’ua çuar Krishtin popujve, duke kumtuar
Ungjillin e Tij në të pesë kontinentet. “Më thoshte një kardinal brazilian,
që punoi për shumë kohë në Amazonë, se kur shkon në ndonjë vend, në ndonjë fshat a
qytet të Amazonës, viziton gjithnjë varrezat e atje shikon varret e këtyre misionarëve,
priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, që shkuan ta predikojnë Ungjillin: apostuj.
E mendon: të gjithë këta mund të shenjtërohen menjëherë, e me të drejtë: lanë gjithçka
kishin për ta kumtuar Krishtin deri në skajin më të fundmë të botës(…). Ta falënderojmë
Zotin për këtë”. E falënderimi u përsërit edhe në përshëndetjen e shtegtarëve
të gjuhës arabe e të Lindjes së Mesme, të cilët Papa i quajti bij të këtyre tokave
të shenjta që, pavarësisht nga vështirësitë, vijojnë të jenë mbartës guximtarë e gazmorë
të mesazhit të shëlbimit, të së vërtetës e të bekimit.