2014-09-16 16:04:05

“Pagëzimin e fëmijëve në komunizëm e kemi pasur detyrë”: dëshmia me “kokë në torbë” e motër Maria Kaletës dhe motër Adelajde Pashkes


Motër Maria Kaleta e motër Adelajde Pashkja janë të fundmet stigmatine, nga brezi i vjetër i murgeshave shqiptare, që mbijetuan pas viteve të diktaturës komuniste. Të dyja mëse 85-vjeçare, dëshmojnë akoma në Pistull, në dioqezën e Sapës, sa gëzim sjell jeta e kushtuar Zotit. Me thjeshtësi çarmatosëse ato tregojnë për frikën, që i ka ndjekur hap pas hapi gjatë komunizmit, kur pavarësisht nga kontrollet e spiunimet, mbarështonin “pagëzimin, që e kishim për detyrë”, siç na thotë motër Adelajdja, duke falenderuar Hyjin, që nuk i ndodhi gjë e keqe. Sikur kjo të mos ia vinte jetën në rrezik orë e për minut… Më 21 shtator, kur Papa Françesku do të jetë në Tiranë në shtegtimin e tij apostolik në Shqipëri, motër Marie Kaleta do të dëshmojë para Atit të Shenjtë e gjithë klerit të mbledhur në katedralen e Shën Palit, ato vite të tmerrshme për katolikët e për gjithë popullin shqiptar. Bashkëpunëtorja jonë nga dioqeza e Sapës, Violeta Marashi, i drejtoi motrës mikrofonin e Radio Vatikanit për t’i njohur të gjithë dëgjuesit me dëshminë e saj. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3

Pranë motër Kaletës, ndodhej stigmatinja tjetër, motër Adelajde Pashkja. Edhe ajo i qëndroi besnike Krishtit, pavarësisht se akoma nuk i kishte marrë kushtet e përjetshme të jetës rregulltare, kur komunizmi ia ndërpreu brutalisht. Nuk mund të mos i kërkonim edhe asaj të na thotë dy fjalë për veten…RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.