2014-09-16 18:38:05

Takimi i familjeve në Filadelfia. Imzot Chaput: shpresojmë se do të jetë i pranishëm edhe Papa


U mbajt sot, në Sallën vatikanase të Shtypit, konferenca me gazetarët, për paraqitjen e përgatitjeve të Takimit VIII Botëror të Familjeve, që do të kremtohet në Filadelfia, SHBA, nga 22 deri më 27 shtatorin e vitit të ardhshëm. Në konferencë morën pjesë ipeshkvi Vincenzo Paglia, kryetar i dikasterit për Familjen, kryeipeshkvi Joseph Chaput, kryeipeshkëv i Filadelfias dhe një familje e qytetit mikpritës amerikan, veprimtare e dalluar e Kishës vendase.

“Nisi, kështu, të ndjehet kjo festë e madhe e Familjes!”. Me këto fjalë e përmblodhi kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Chaput, gëzimin me të cilin pritet, ose më mirë të themi, përgatitet, ngjarja gazmore e shtatorit 2015. Prelati nuk e fshehu shpresën e madhe, që e kanë aq për zemër të gjithë banorët e Filadelfias:
“We sincerely hope for a visit from the Holy Father. …
Shpresojmë fort se Ati i Shenjtë do të vijë ndër ne. Ngjarja e vitit të ardhshëm bëhet më reale, me kalimin e çdo ore. Filadelfia ka rrënjë të thella fetare, prej këndej, e do shumë Papën. E Françesku duhet shumë jo vetëm në gjirin e Kishës katolike të SHBA, por edhe jashtë saj. Prej këndej, siç e kam thënë edhe në raste të tjera, në Kongresin kushtuar Familjes, parashikohen rreth 10 deri në 15 mijë pjesëmarrës, nga mbarë bota. Një meshë e kremtuar nga Papa mund të mblidhte më se një milion njerëz…”.
Kryeipeshkvi Chaput kujtoi edhe temën e takimit; “Dashuria, misioni ynë; familja është e gjallë” dhe nënvizoi se është përgatitur një tekst katekizmi me tema të rëndësishme, që kanë të bëjnë me familjen. Kujtoi edhe Pajtorët e këtij takimi të madh: Shën Gjon Palin II, që pikërisht 20 vjet më parë themeloi Takimet botërore të familjeve, dhe Shën Gianna Beretta Molla-n, shembull i jashtëzakonshëm i nënës dhe bashkëshortes së krishterë.
Në takim ishte e pranishme edhe familja Riley, nga Filadelfia, e angazhuar në përgatitjet e ngjarjes së madhe. Dëshmia e Barabara Riley:
“We are excited, in Philadelphia, to have such an event with the focus on …
Jemi shumë të emocionuar, në Filadelfia, ku do të jetohet një ngjarje me këtë peshë, përqendruar mbi familjen. Familja është aq e rëndësishme, vendimtare për rritjen e fëmijëve. 20 vjet më parë u ktheva në katolicizëm; më tërhoqi pikërisht vëmendja e kësaj feje për gratë, nënat, familjen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.