2014-09-12 14:22:47

Papa: qortimi vëllazëror është i dhimbshëm, sepse i bërë me dashuri, vërtetësi e përvujtëri


Qortimi i vërtetë vëllazëror është i dhimbshëm, sepse i bërë me dashuri, vërtetësi e përvuajtëri. Nëse ndjejmë kënaqësi, kur qortojmë, kjo nuk vjen nga Zoti! Këtë theksoi Papa në homelinë e mëngjesit, mbajtur gjatë Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të Emrit të Shenjtnueshëm të Marisë.RealAudioMP3

Në Ungjillin e ditës, Jezusi i qorton ata, që shikojnë lëmishten në syrin e vëllait e nuk kujtohen fare për traun, që kanë në sy të vet. Duke e komentuar këtë fragment, Papa Françesku u kthye edhe një herë tek tema e qortimit vëllazëror. Posaçërisht, e qortimit të vëllait, që gabon:
Nuk mund të qortohet njeriu pa dashuri, pa dhimbsuri. Nuk mund të bëhet ndërhyrje kirurgjike, pa anestezi: nuk mund të bëhet, sepse i sëmuri do të vdiste nga dhimbja. E dashuria e krishterë është si anestezia, që ndihmon për të marrë mjekimin e për të pranuar qortimin. Vëllai duhet marrë mënjanë, butësisht, e i duhet folur me dashuri”.
Në radhë të dytë, vijoi Ati i Shenjtë, duhen folur fjalë të vërteta, nuk duhet thënë kurrë një gjë, që nuk është e vërtetë. Sa herë në bashkësitë tona thuhen, për ndokënd, gjëra, që nuk janë aspak të vërteta; janë thjesht shpifje! Ose, po të jenë të vërteta, dëmtojnë rëndë emrin e atij njeriu, që merret nëpër gojë. Përgojimet, pohoi rishtas Papa, plagosin; përgojimet janë shuplaka mbi emrin e mirë të tjetrit, janë shuplaka në zemër të tjetrit. Natyrisht, shtoi, edhe kur të thonë të vërtetën, nuk është aq gjë e bukur ta dëgjosh, por nëse ta thonë me dashuri të krishterë e dhimbsuri, është më e lehtë ta pranosh. Prej këndej, për të metat e tjetrit duhet folur me dashuri.
Në radhë të tretë, duhet qortuar me përvujtëri. Kur mendon të qortosh një gabim të vogël tek tjetri, mos harro kurrë se ti vetë ke bërë e vijon të bësh gabime shumë më të mëdha:
Qortimi vëllazëror është akt, që synon shërimin e korpit të Kishës. Ndreq, në petkun e Kishës, një vrimë, që duhet qepur. E ashtu si nënat e gjyshet, kur qepin petkat e grisura e bëjnë këtë me delikatesë të madhe e me art të madh, kështu duhet bërë qortimi vëllazëror. Nëse ti nuk je i aftë ta bësh me dashuri, me dhimbsuri, me vërtetësi e përvujtëri, ti s’bën tjetër, veçse fyen, rrënon zemrën e tjetrit. Fjala jote është përgojim, që plagos e ti vetë bëhesh hipokrit i verbër, siç thotë vetë Jezusi: ‘Hipokrit, hiq një herë traun nga syri yt…’ Hipokrit! Mendo një herë se ti je edhe më mëkatar se tjetri, e megjithatë, si vëlla që je, duhet ta qortosh tjetrin”.
Një shenjë, që ndoshta mund të na ndihmojë, vërejti Papa, është fakti se mund të ndodhë edhe që të ndjejmë një farë kënaqësie, kur shikojmë ndonjë gjë, që nuk shkon e që na duhet ta qortojmë. Kujdes! Kjo nuk vjen nga Zoti:“Nga Zoti na vjen gjithnjë kryqi, vijnë vështirësitë për të bërë ndonjë gjë të mirë; nga Zoti na vjen gjithnjë dashuria, që të bën të butë. Nuk duhet luajtur roli i gjykatësit, e ne të krishterët e kemi tundimin të bëjmë, si patën bërë doktorët: të dalim jashtë lojës së mëkatit e të hirit, si të ishim engjëj… Jo! E Pali na e kujton: ‘Po e marr me të keq trupin tim, po e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos mbetem i përjashtuar unë vetë”. E i krishteri që, në bashkësi nuk i bën gjërat - edhe qortimin vëllazëror – me dashuri, vërtetësi e përvujtëri, është i përjashtuar! Nuk ia ka dalë mbanë të fitojë pjekurinë e krishterë. Zoti na ndihmoftë në këtë shërbim vëllazëror, sa të bukur, aq edhe të dhimbshëm, për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat të bëhen më të mirë e na ndihmoftë edhe ta bëjmë këtë gjithnjë me dashuri, vërtetësi pëvuajtëri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.