2014-09-12 10:18:47

Kardinal Sandri: Iraku, të ndalohet agresori. Pas dhunës, petroli e armët


“Nuk mund të mendohet një Lindje e Mesme, pa të krishterë. Kombet e Bashkuara duhet ta mbrojnë dinjitetin e të gjitha pakicave”: kështu, thënë me dy fjalë, u shpreh kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në Uashington, në takimin e rangut të lartë të Shoqatës “Në mbrojtje të të krishterëve” (In defense of christians). Është fjala për një organizatë no-profit, në të cilën bëjnë pjesë krerët e kishave Lindore, katolike e ortodokse, së bashku me pjesëtarë të tjerë të jetës shoqërore e politike botërore, me synim që të reflektojnë mbi mënyrat e veprimit të bashkësisë ndërkombëtare në favor të popullsive të Lindjes së Mesme. Në këtë zonë, pohoi prelati i lartë, vërehet përbuzja më e papranueshme për pakicat, jo vetëm të krishtera, të cilat i nënshtrohen vuajtjeve çnjerëzore.
Duke ndjekur ngjarjet e tmerrshme, që po ndodhin sidomos në Irak e në Siri, prelati i lartë pohoi se milicët e Shtetit të vetëshpallur Islamik(Is) sulmojnë e rrënojnë me tërbim edhe viset e Afrikës, posaçërisht Nigerinë. Kujtoi, më pas, episodet dramatike të kokëve të prera, të kthimit të detyruar në fenë islame, dëbimit me dhunë, rrënimit të vendeve të kultit, rrëmbimeve, dhunimit të kishave e manastireve. E jo vetëm kaq: gjithë kësaj pamjeje katastrofike i shtohet indoktrinimi barbar i fëmijëve dhjetë vjeçarë, që detyrohen të sulen me brohori kundër atyre, që i pandehin si armiq, e të rrokin edhe armët, në vend që të luajnë e të shkojnë në shkollë, si bashkëmoshatarët e tyre. Prej këndej, thirrja e fuqishme e kardinalit-prefekt, që çdo mbështetje politike, ekonomike e ushtarake e Is dhe e “çmendurisë vrasëse”, të dënohet hapur e të marrë fund bashkëfajësia, e shprehur me heshtjen, që mbështjell konfliktin sirian.
Nuk jam i një mendjeje, nënvizoi kardinali, e kërkoj të mos mbizotërojë kurrë, qëndrimi i atyre që flasin për ndeshje qytetërimesh e luftë, në vijim, ndërmjet islamit e krishterimit, edhe pse ka nga ata, që e bëjnë këtë me synimin për të rrënuar bashkëjetesën kulturore, ndërsa në perëndim shpesh njerëzit bien në këtë kurth, duke e konsideruar kulturën arabe si krejtësisht myslimane. Përkundrazi, nënvizoi prelati i lartë, nuk mund të mos dyshojmë se mbi këtë konflikt ndikojnë interesa të mëdha: tregtia e armëve, kontrolli i puseve të petrolit e i vendburimeve të gazit. Dhe e gjithë kjo, në emër të “kulturës së hedhurinës”, që i krijon hapësirën e dëshiruar interesave personale, që mohon ose shpërfill jetën dhe dinjitetin e tjetrit.
Prandaj, duke ngritur fort zërin, prelati i lartë kërkoi që Kombet e Bashkuara të bëhen gjithnjë e më shumë e në mënyrë transparente, vendi ku popujt mbrojnë konkretisht, me rezoluta e veprimtari të përshtatshme, dinjitetin e të krishterëve të Lindjes së Mesme e të çdo pakice tjetër. Përsërisim me forcë, pohoi kardinali Sandri, se kthimi i të krishterëve, posaçërisht në Mosul, duhet siguruar pa tjetër, për të mos dënuar një shoqëri që për shekuj ka qenë e aftë të bashkëjetojë paqësisht me të tjerët. Duhet ndaluar agresori i padrejtë, pohoi kardinali, por pa u kufizuar vetëm tek mendimi i përdorimit të forcës, që në disa raste është e nevojshme, por gjithsesi në kuadrin e marrëveshjes ndërkombëtare, nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë edhe vendet arabe e myslimane.
Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore u ftua të flasë edhe para Këshillit të përhershën të Konferencës ipeshkvnore të SHBA. Edhe në këtë rast, u ndalua tek konflikti në Lindjen e Mesme, tek barabaritë e mizoritë, që godasin më të ligshtët, si pleqtë, gratë e fëmijët. Kardinali Sandri kujtoi, më pas, meshtarët e rrëmbyer në Siri e gazetarët e vrarë barbarisht në konflikt, duke u lutur që flijimi i tyre ta shkundë ndërgjegjen e botës mbarë. Nuk mund të heshtet, shtoi Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, përballë kërcënimeve, që godasin Kishën e Tokës së Shenjtë, djep i planit universal të shëlbimit. Duke u kërkuar të gjithë udhëheqësve shpirtërorë të mbajnë qëndrim kundër dhunës së verbër e barbare, përfaqësuesi i Vatikanit nënvizoi se duhet t’i edukojnë besimtarët me frymën e bashkëjetesës, duke iu kundërvënë haptas, vizionit të konfliktit ndërmjet qytetërimeve e feve.








All the contents on this site are copyrighted ©.