Më pak se dy javë na ndajnë nga vizita e Papës Françesku në Shqipëri. E ne vijojmë
t’ju njohim me Françeskun, duke ju folur me fjalët e tij, fryt i bisedave dhënë gazetave
të ndryshme. Deri sa t’i flasë ai vetë popullit shqiptar. Nisëm nga “La Vanguardia”,
për të vijuar me intervistën e Papës dhënë vatikanistes Franka Giansoldati, titulluar
“Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, sot pjesa e V dhe e fundit. Të premten e ardhshme,
në prag të pranisë së Papës ndër ne, do t’ju njohim me dekalogun e Françeskut, 10
këshilla, për të qenë i lumtur:
Pyetjes së parë: Në gusht shkuat
në Kore. Është porta për në Kinë? Po drejtoheni nga Azia?- Papa i përgjigjet:
“Në
Azi do të shkoj dy herë në gjashtë muaj. Korenë e vizitova në gusht, për të takuar
të rinjtë aziatikë. Në janar do të jem në Sri Lanka e në Filipine. Kisha në Azi është
premtuese. Koreja përfaqëson shumë, ka mbi shpatulla një histori tejet të bukur. Për
dy shekuj me radhë nuk pati priftërinj e katolicizmi mundi të jetojë falë shekullarëve.
Pati edhe martirë. E përsa i përket Kinës, është një sfidë e madhe kulturore. Tepër
e madhe. E pastaj kemi shembullin e Mateo Riçit, që bëri shumë të mira….”
Kah
po shkon Kisha e Bergoglios?
Faleminderës Zotit nuk kam asnjë Kishë. Ndjek
Krishtin. Nuk kam themeluar asgjë. Në këndvështrimin e stilit, nuk kam ndryshuar fare.
Mbetem ai që isha në Buenos Aires. Tashti ndoshta ndonjë gjë fare të vogël edhe mund
ta kem bërë, sepse duhet, por të ndryshosh në moshën time do të ishte vërtet qesharake.
Përsa i përket programit, ndjek atë, që e kërkuan kardinajtë gjatë kongregacioneve
të përgjithshme para konklavit. Eci në këtë drejtim. Këshilli i tetë kardinajve,
organizëm i jashtëm ky, lind që aty. U kërkua, që të ndihmonte për reformimin e kurjes.
E kjo nuk është aspak e lehtë, sepse bëhet një hap, por pastaj del se duhet bërë kjo
e ajo e, nëse më parë ishte një dikaster, më pas bëhen katër. Vendimet e mia janë
fryt i takimeve para konklavit. Nuk kam bërë asgjë vetëm”.
Përçapje demokratike…
“Kanë
qenë vendimet e kardinajve. Nuk e di nëse mund të quhet përçapje demokratike. Do ta
quaja më shumë sinodale. Ndonëse kjo fjalë nuk i përshtatet kardinajve”.
Ç’i
uroni romakëve për festën e Pajtorëve Pjetër e Pal?
“Të jenë të mirë, si
gjithnjë. Janë tepër simpatikë. E shikoj këtë gjatë audiencave e kur vizitoj famullitë.
U uroj të mos e humbasin kurrë gëzimin, shpresën, besimin, pavarësisht nga vështirësitë.
Edhe dialekti romanaccio më pëlqen shumë”.
Papa Vojtila pati mësuar të
thoshte “volemose bene, damose da fa’”. Ju, keni mësuar ndonjë frazë në dialektin
romanesk?
“Tani për tani fare pak. Campa e fa’campa’. (qesh) (Rrno e len
me rrnue!).