2014-09-10 16:50:19

Sinodi. Imzot Bruno Forte: dëshira për familjen është e fortë, pavarësisht nga kriza


Dje doli lista e pjesëmarrësve në Sinodin e jashtëzakonshëm për familjen, që do të mbahet në Vatikan gjatë muajit tetor. Në këtë listë spikasin 14 çifte bashkëshortore. Në lidhje me praninë e bashkëshortëve në këtë ngjarje, Radio Vatikani intervistoi Imzot Bruno Forte-n, sekretar i posaçëm i Sinodit:RealAudioMP3
Kur flitet për familjen, protagonistët, që e kanë përvojën e familjes dhe që mund të ndihmojnë në gjetjen e rrugëve të përshtatshme për ta parashtruar me hov të ri e me forcë të re tërheqëse Ungjillin e familjes janë pikërisht ata që jetojnë vetë në çift, si bashkëshortë e si prindër. Pra, ky vendim na ndihmon ta shohim familjen jo vetëm si marrëse të vëmendjes që u kushton Kisha dhe Sinodi problemeve të saj, por edhe si subjekt, si protagoniste e drejtpërdrejtë në kërkimin e perspektivave dhe zgjidhjeve të duhura.
Gjatë Sinodit do të ndiqen modalitete të reja pune...
Papa Françesku e ka përsëritur disa herë se beson fort në vlerën e kolegjialitetit, se dëshiron të zhvillojë e të nxisë këshillimin dhe ndihmesën e ipeshkvijve të të gjithë botës në gjetjen e formave për t’u përballur me sfidat e kohës sonë. Struktura sinodale, pra, duhet të karakterizohet gjithnjë e më shumë si vendi i ushtrimit efektiv të kolegjialitetit. Ja pse puna duhet të jetë, gjatë javës së parë, mbi të gjithë dialog për gjithçka që prek temat themelore në lidhje me familjen sot, si edhe me përvojën e ndarjes, të divorcit, etj.. Pastaj, gjatë javës së dytë, do të punohet për të përgatitur propozimet, të cilat jo vetëm që do të shërbejnë si mesazh për Kishën, por do të japin edhe zgjidhjet, udhërrëfimet, përsiatjet. Pastaj do t’i paraqiten Atit të Shenjtë, në vitin që na ndan nga Asambleja e zakonshme e 2015-tës.
Ju do të jeni sekretari i posaçëm i kësaj asambleje të jashtëzakonshme: si e pritët këtë emërim dhe si do ta ushtroni këtë detyrë?
Me përgjegjësi të madhe kundrejt pritshmërive, para së gjithash të Atit të Shenjtë e pastaj të mbarë Kishës, dhe me përvujtërinë e thellë të vetëdijes se punën e vërtetë e bën Shpirti i Shenjtë, nëpërmjet Etërve Sinodalë, të bashkuar me Pasardhësin e Pjetrit.
Sipas Jush, cili është shëmbëllimi i familjes që del më qartë nga Instrumentum Laboris i këtij Sinodi?
E dhëna e parë është se, në një çast në të cilin flitet për krizën e institucionit të familjes, vihet re, veçanërisht tek të rinjtë, dëshira për familje, për marrëdhënie të vërteta, brenda të cilave krijohet mundësia për t’u shprehur lirisht dhe për t’u rritur, për t’u formuar, për t’u pjekur nga pikëpamja njerëzore, shpirtërore e intelektuale. Pra, familja shihet si një e mirë e dëshiruar. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kemi krizat e shumta, që prekin institucionin e familjes, sidomos në vendet perëndimore – në Amerikën Veriore e Jugore, por edhe në Evropë : numri i bashkëjetesave është në rritje, sikurse janë në rritje edhe ndarjet dhe divorcet. Tani, mbi të gjitha këto i hedh sytë mëshira e Hyjit, që i do të gjithë bijtë e vet. Ja, atëherë, sfida e madhe e Sinodit: si ta përkthejë këtë vështrim mëshirëplotë në vendimet baritore të Kishës.
28 shtatori është shpallur Dita e lutjes për Sinodin: kjo na kujton edhe rëndësinë shpirtërore të kësaj Asambleje...
Pikërisht fakti se Papa Françesku ka dashur këtë përfshirje në lutje na ndihmon të kuptojmë sa shumë e ka për zemër këtë Sinod, sa shumë nxjerr në pah se protagonisti i sinodit duhet të jetë Shpirti i Shenjtë, i cili duhet t’i ndriçojë etërit dhe t’i ndihmojë të arrijnë në propozime të besueshme, të sigurta për të mirën e Kishës dhe të familjes.
Ky Sinod i jashtëzakonshëm është vetëm etapa e parë e një ecjeje që do të mbyllet më 2015. Cilat janë, atëherë, urimet Tuaja për këto dy asamble sinodale?
Urimi im kryesor është: të gjehen rrugët për t’u kumtuar Ungjillin, domethënë Lajmin e Mirë të dashurisë së Hyjit dhe të mëshirës së tij, si familjeve të lumtura e të bashkuara, ashtu edhe familjeve të lënduara e të divorcuarve të rimartuar. Kisha nuk është tjetër, veçse instrumenti që duhet të bëjë të pranishme në të sotmen dhe në kohë dhuratën e mëshirës së pakufi, që na është dhënë në Jezu Krishtin. Ky ndërmjetësim mes shëlbimit dhe historisë është sfida që duhet të marrim përsipër dhe, sigurisht, nuk është e lehtë, por nuk do të na mungojë ndihma e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.