2014-09-09 15:35:10

Françesku: Jezusi, gjithnjë mes njerëzve, nuk është profesor, që flet nga katedra


Jezusi nuk është profesor, që flet nga katedra. Zotin e gjejmë gjithnjë mes njerëzve, të cilët i lë ta prekin, për t’i shëruar. E theksoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Duke komentuar Ungjillin e ditës, Papa Françesku reflektoi për tre çaste të jetës së Jezusit. I pari, çasti i lutjes. Jezusi e kalon gjithë natën duke iu lutur Zotit. I lutet për ne. Të duket paksa e çuditshme kjo: Ai, që erdhi për të na sjellë shëlbimin; Ai, që ka pushtet, vërejti Papa, i lutet Atit. Edhe e bën shpesh. Jezusi është ndërmjetësues i madh:
“Ai është para Atit në këtë çast, duke u lutur për ne. E kjo duhet të na japë zemër! Sepse në çaste vështirësish, nevojash, shqetësimesh, që nuk na mungojnë kurrë, mund të mendojmë: ‘Po Ti je duke u lutur për mua. Lutu, pra, Jezus. Lutju për mua Atit! Kjo është puna e sotme e Jezusit: të lutet për ne, për Kishën e vet. Ne e harrojmë shpesh këtë; harrojmë se Jezusi lutet për ne. E kjo është forca jonë. Kështu mund t’i themi Atit: ‘Po nëse Ti, o Atë, nuk na shikon ne, shiko Birin tënd, që lutet për ne’. Që nga çasti i parë, Jezusi lutet: lutej kur ishte mbi tokë, lutet edhe sot, për secilin nga ne, për mbarë Kishën”.
Pas lutjes, Jezusi zgjedh 12 Apostujt. Zoti e thotë qartë: “Nuk ishit ju, që më zgjodhët mua. Jam unë, që ju zgjodha ju! Ky çast i dytë, pohoi Papa, na jep zemër. Unë jam i zgjedhur, jam zgjedhja e Zotit! Më zgjodhi në ditën e Pagëzimit’. E Pali, duke menduar për këtë, thotë: “Ai më zgjodhi mua që nga kraharori i nënës”. Ne, të krishterët, pra, jemi të zgjedhur:
Këto janë punë dashurie! Dashuria nuk shikon nëse njëri e ka fytyrën e shëmtuar apo të bukur: do! E Jezusi bën të njëjtën gjë: do, e zgjedh me dashuri. E i zgjedh të gjithë: fytyra të këqija e të mira. Ai, në listën e Tij, nuk ka asnjë njeri ‘të rëndësishëm’, sipas kritereve të botës: në listën e Tij, të gjithë janë njerëz të zakonshëm. Njerëz, si gjithë bota. Po një gjë e kanë, po, të përbashkët, që duhet nënvizuar: janë mëkatarë. Zoti zgjedh mëkatarët. E pikërisht për këtë e akuzojnë doktorët e ligjit, skribët: ‘Ky shkon e ha me mëkatarë, flet me gra të përdala…’. Po, Jezusi vijon t’i thërrasë të gjithë. Kujtojmë shëmbëlltyrën e dasmës së djalit: kur të ftuarit arrijnë, ç’bën i zoti i shtëpisë? I nis shërbëtorët, duke i porositur t’i ftojnë të gjithë në dasëm: të mirë e të këqij, thotë Ungjilli. Të gjithë janë dasmorë, të zgjedhur nga Jezusi”.
Krishti, vijoi Papa, zgjodhi edhe Judën Iskariot, që e tradhtoi… Mëkatari më i madh për Të. Po edhe i zgjedhur prej Tij.
Pastaj jemi para çastit të tretë: “Jezusi është pranë njerëzve”. Ata e ndjekin papushuar. Vijnë ta dëgjojnë e të shërohen nga sëmundjet e tyre. Turma mbarë sulej ta prekte sadopak, sepse nga Ai vërshonte një forcë, që i shëronte të gjithë. Jezusin e gjejmë gjithnjë në mes të popullit të Tij:
Nuk është profesor, as mësues e as mistik, që rri larg njerëzve e flet vetëm nga katedra, atje. Jo! Është ndërmjet njerëzve; i lë ta prekin; i lë t’i luten, t’i kërkojnë shpëtim. Kështu është Jezusi; pranë njerëzve. E kjo afërsi nuk është gjë e re për Të: Ai e nënvizon në mënyrën si vepron, sepse vjen nga Hyji, që ka zgjedhur popullin e vet. Hyji i thotë popullit të tij: 'Mendoni, cili popull ka një Hyj kaq të afërt, si jam Unë me ju? Afërsia e Hyjit me popullin e vet është afërsi e Jezusit me njerëzit”.Kështu është Mësuesi ynë. Kështu, Zoti ynë, përfundoi Papa. Zot, që lutet, që i zgjedh njerëzit, që nuk ka turp të rrijë gjithnjë me ta, pranë tyre. Kështu është!







All the contents on this site are copyrighted ©.