Rubrika: Papa Françesku në Tiranë, më 21 shtator: Kisha e populli, në pritje…
Atmosferë pritjeje, në Shqipëri: Kisha e mbarë populli pret Françeskun, Papën e dytë
që shkel në trojet shqiptare, duke tërhequr mbi vendin e vogël, vëmendjen e opinionit
botëror, që e ndjek Atin e Shenjtë kudo që shkel. Është shtegtimi i parë
i Françeskut në Kontinentin evropian, e natyrisht, edhe në Ballkan. Po ç’e tërhoqi
vëmendjen e Papës në drejtim të këtij vendi të vogël, emri i të cilit shpesh u dëgjua,
sa për mirë, aq edhe për keq? Vetë Papa i shpjegoi arsyet kryesore të kësaj vizite,
më 19 gushtin e kaluar, në një konferencë shtypi, gjatë shtegtimit nga Koreja e Jugut,
në Vatikan. Papa dëshiron, sidomos, t’i tregojë solidaritetin e ta inkurajojë popullin
shqiptar. Por kryesisht, Françesku dëshiron të kujtojë në lutje viktimat e regjimit
komunist në Shqipëri, regjim që mbronte me Kushtetutë ateizmin praktik, që dënonte
si antikushetuese kremtimin e ndjekjen e meshës e që, gjithnjë nën hijen e kushetutës,
rrënonte kisha, vende kulti e institucione fetare: 1. 820 vetëm kishat e krishtera,
të rrënuara e të dhunuara. Pa llogaritur, këtu, rrënimin e mijëra shpirtrave. Kombi
i parë evropian, që do të vizitohet nga Papa gjatë papnisë së tij, nuk është në qendër
të forcës gjeopolitike, as ekonomike. Është vend fare i vogël, që ecën në rrugët e
jetës duke mbartur mbi shpatulla barrën e historisë së vet të trazuar. Ipeshkvijtë
shqiptarë, si e përshëndetën me gëzim të madh vendimin e Papës për të shkuar për vizitë,
ndonëse për pak orë e vetëm në kryeqytet, e quajtën këtë shtegtim “shenjë të lartë
nderimi për martirizimin e besimtarëve shqiptarë”. Por, nëse Shqipëria njihet si tokë
e persekutimeve të egra, gjakatare fetare, prej vitesh është bërë e njohur edhe si
toka e bashkëjetesës ndërmjet feve kryesore: ortodokse, katolike e myslimane. Bëhet,
kështu, shembull, krejt në kundërshtim me atë, që po ndodh sot, pakëz më në Jug të
saj, në Lindjen e Mesme, e njëkohësisht, dëshmi konkrete, siç e nënvizoi edhe Ipeshkvi
i Romës. Shqipëria e vogël i tregon botës së kacafytur se është e mundur të jetohet
e të punohet krah për krah, pavarësisht nga përkatësia fetare. Kanë kaluar 21 vjet
nga vizita e Shën Gjon Palit II në trojet shqiptare. Françesku do të gjejë një Kishë
të ndryshme, nga ajo, që gjeti Papa Vojtila. Papës polak iu desh ta rindërtonte hjerarkinë
e vogël kishtare, të rrënuar plotësisht nga regjimi komunist, që që të dilte dikush
e ta priste. Sot Bergolio do të gjejë një Kishë që lëshon shtat, me meshtarë të rinj,
me solidaritet, me edukim e katekizëm. Kishë në rilindje. Prej këndej, Papa do të
mund të nderojë gjestin profetik të paraardhësit, që e zgjodhi Shqipërinë e vogël,
për ta rikthyer plotësisht në vendin, që i përkiste, përkatësi që diti ta mbrojë me
gjak martirësh. Vendi i vogël është në pritje. E ne, me mikrofonin tonë,
do të mundohemi ta pasqyrojmë këtë atmosferë, deri tek dita e 21 shtatorit e përtej.