2014-09-08 17:31:56

Papa ipeshkvijve të Kamerunit: dialog me myslimanët; jo, dhunës antikristiane


Dialogu ndërfetar, familja, ungjillëzimi. Janë këto, tri temat e mprehta, prekur nga Papa Françesku në fjalimin, dorëzuar ipeshkvijve të Kamerunit, të cilët i priti dje, në përfundim të vizitës së tyre “ad Limina”. Papa u tërhoqi vëmendjen meshtarëve t’u rrinë larg tundimeve të pushtetit e të parasë, që s’janë tjetër, veç “kundërdëshmi”, në një zonë ku shumëkujt i mungon edhe buka e gojës.

Dëshmi e dialog. Këtë kërkon Papa nga ipeshvijtë e Kamerunit. Në disa nga dioqezat tuaja, pohon në fjalim, prania e shumtë e myslimanëve tingëllon si ftesë për ta dëshmuar me guxim e gëzim besimin në Krishtin e Ngjallur. E dialogu duhet zhvilluar me frymë besimi reciprok, për të ruajtur, kështu, bashkëjetesën paqësore e për t’i vënë pritë çdo shprehjeje të dhunës, nga e cila vuajnë jo pak të krishterë në vise të ndryshme të Kontinentit afrikan. Papa e nxit klerin vendas të jetë i bashkuar e të gjejë rrugëzgjidhje të përbashkëta për sfidat, që duhen përballuar, duke kapërcyer paragjykimet, posaçërisht ato etnike.
Françesku kërkon nga ipeshkvijtë të punojnë për formimin e vazhdueshëm të jetës shpirtërore të priftërinjve, sepse tundimet e botës janë të shumta, duke nisur nga tundimi i dëshirës për sa më shumë pushtet, për të përfunduar tek ai për sa më shumë para. E këto Papa i quan “kundërdëshmi”, që mund të kenë një mori shprehjesh, nga administrimi i padenjë i pasurive të Kishës, tek përvetësimi e shpërdorimi, që mund të marrin pamjen e mirëfilltë të shkandullit, në një kohë kur shekullarizimi e relativizmi po lëshojnë rrënjë edhe në Afrikë. Françesku kërkon të vihen në qendër të vëmendjes familjet që, për shkak të varfërisë, mund të rikthehen tek praktikat e fesë së tyre tradicionale, që nuk përkojnë me fenë e krishterë.
Papa nxit edhe për bashkëpunim ndërmjet Kishës e Shtetit në Kamerun, me theks tek roli i jashtëzakonshëm i insitutcioneve kishtare në vend, që e lidhin ngushtë ungjillëzimin me përparimin njerëzor. Françesku e përfundon fjalimin duke ia besuar Kamerunin Zojës së Bekuar e Shën Gjon Palit II, që e vizitoi dy herë vendin afrikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.