2014-09-08 16:30:15

Ngushëllimet e Papës për tri rregulltaret italiane, vrarë në Burundi


Papa shpreh dhimbjen për vdekjen e tri motrave saveriane italiane, në kuvendin e tyre, në Burundi, në zemër të asaj Afrike, së cilës i kishin kushtuar jetën si misionare për t’i ndihmuar të fundmit, në emër të Ungjillit. Motër Luçia Pulici, motër Olga Raschietti e motër Bernardetta Bugiarna u vranë dje, në kuvendin e tyre, në zonën e Kamenges, në atë që duket se ishte provë për plaçkitje e që përfundoi me gjak.
Në dy telegrame, një drejtuar nuncit apostolik në Bujumbura, imzot Evariste Ngoyagoye, e tjetri, Eprores së përgjithshme të Misionareve Saveriane, motër Ines Frizza, Papa pohon se u prek thellë nga vdekja e tyre tragjike dhe uron që gjaku i derdhur të bëhet farë shprese për vëllazërimin e vërtetë ndërmjet popujve. Françesku siguron se lutet për këto dëshmitare bujare të Ungjillit”.

Ende të errta, shkruhet në faqen e internetit të dioqezës së Parmës, të cilit i përkisnin rregulltaret, rrethanat e kësaj ngjarjeje, me sa duket, përfundim tragjik i provës së një njeriu me të meta mendore, për të hyrë në kuvend.
I menjëhershëm, konfirmimi i Farnezinës, shoqëruar me një mesazh ngushëllimi nga ana e ministres Federica Mongherini, përfaqësuese e ardhshme e lartë e BE-së për politikën e jashtme, pasuar nga ftesa e Kongregatës Saveriane për t’u lutur për shpirtin e rregulltareve të pëvuajtura, të forta, të kushtuara plotësisht së mirës së të gjithëve, në emër të Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.