Duke shikuar historinë e Marisë, ta pyesim vetena e lëmë Zotin të ecë me ne?
Këtë pohoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës,
në festën e Lindjes së Zojës së Bekuar. Papa nënvizoi se Zoti është në gjërat e mëdha,
por edhe në të voglat. E ka edhe durimin të ecë përkrah nesh, ndonëse jemi mëkatarë.
Në ditën kur
kremtohet Lindja e Marisë, Papa Françesku meditoi për krijimin dhe ecjen e Hyjit me
ne, në të gjithë rrjedhën e historisë. Kur shfletojmë Librin e Zanafillës, vërejti,
rrezikohemi të mendojmë se Hyji ishte magjistar, që i bënte punët me shkopin magjik.
Por, sigurisht nuk ishte kështu, sepse Hyji i bëri gjërat e i la të shkonin përpara,
sipas ligjeve të veta të brendshme, të cilat Ai vetë ia dha secilës, që të zhvilloheshin
e të arrinin përsosurinë. Zoti, shtoi, sendeve të universit u dha mëvetësi, jo pavarësi: “Sepse
Hyji nuk është magjistar, është krijues! Por kur, në ditën e gjashtë të këtij rrëfimi,
arriti tek krijimi i njeriut, dha një autonomi tjetër, paksa të ndryshme, por jo të
pavarur, mëvetësinë, që quhet liri. E i tha njeriut të ecte para në histori, e bëri
përgjegjës të krijimit, që ta sundonte gjithësinë, ta çonte përpara e kështu të arrinte
përmbushja e kohëve. Po cila do të ishte përmbushja? Ajo, që Hyji e kishte tejet
për zemër: ardhja e Birit të Tij. Sepse Hyji, e dëgjuam Palin, na paracaktoi të gjithëve
të jemi të ngjashëm me shembëllesën e Tij”. E kjo, vijoi, është udha e njerëzimit,
udha nëpër të cilën ecën njeriu. Hyji deshi që ne të ishim si Biri i Tij, e që Biri
i Tij të ishte si ne. Prej këndej, Papa u ndalua tek fragmenti i Ungjillit të sotëm,
që tregon gjenealogjinë e Jezusit. Në këtë listë, vërejti, ka shenjtorë e mëkatarë,
por historia shkon përpara, sepse Hyji deshi që njerëzit të ishin të lirë. Është e
vërtetë që njeriu e përdori keqas lirinë e tij e Hyji e dëboi nga Parajsa, por duke
i bërë një premtim, e njeriu doli nga Parajsa me shpresa. Mëkatar, por me shpresa.
Kështu njeriu nuk eci vetëm fill në historinë e tij: Hyji eci gjithnjë me të. Sepse
Zoti bëri një opcion: opcion për kohën, jo për çastin. Ai është Hyji i kohës, Hyji
i historisë, Hyji që ecën me bijtë e tij. E kështu deri në përmbushjen e kohëve, kur
Biri i Tij bëhet njeri. Hyji, vijoi të pohojë Papa, ecën me të drejtët e me mëkatarët.
Ecën me të gjithë, për të arritur tek takimi, takimi përfundimtar i njeriut me Të. Ungjilli,
vijoi, e përfundon këtë histori shumëshekullore në një gjë tejet të vogël, në një
vend të vogël, me Jozefin e Marinë. Hyji i historisë së madhe, është edhe i historisë
së vogël, sepse dëshiron të ecë me të gjithë. Françesku citoi Shën Tomën, që thotë:
“Mos u tremb nga gjërat e mëdha, por llogariti edhe të voglat, kjo është hyjnore”.
E kështu është Zoti, vijoi Papa, merret me sende të mëdha, pa i harruar kurrë të voglat: “E
Zoti, që ecën me Hyjin, është edhe Zot i durimit. Durimi i Hyjit! Durim, që e pati
me të gjitha breznitë. Me të gjithë njerëzit, që e jetuan historinë e hirit e të mëkatit,
Hyji është durimtar, Hyji ecën me ne, sepse Ai dëshiron që të gjithë të bëhemi të
ngjashëm me të Birin. E që nga ky çast na dha lirinë në krijim, jo pavarësinë, e deri
më sot vijon të ecë përkrah me ne”. E kështu arrijmë tek Maria. Sot, tha Papa,
jemi në paradhomën e kësaj historie: kujtojmë lindjen e Zojës. E i lutemi të na e
japë hirin të ecim së bashku, me paqen në zemër. Është ky hiri i sotëm:“Sot mund
ta sodisin Zojën, të vogël, të shenjtë, pa mëkat, të dlirë, të zgjedhur për t’u bërë
Nëna e Hyjit, e edhe për ta parë këtë histori, që mbeti pas, tejet të gjatë, shekullore
e për t’i bërë vetes pyetjen: ‘Unë, si ec në historinë time? A e lë Zotin të ecë me
mua? E lë të ecë pranë meje, apo dua të ec vetëm? E lë të më ledhatojë, të më ndihmojë,
të më falë, të më çojë përpara drejt takimit me Jezu Krishtin? Ky do të jetë caku
i mbramë i shtegtimit tonë: takimi me Zotin! E kjo pyetje do të na bëjë mirë sot.
A e lë Zotin të jetë durimtar me mua?’ E kështu, duke e parë këtë histori të madhe
e edhe vendin e vogël, ku nisi, mund ta lavdojmë Hyjin e t’i kërkojmë përvujtërisht
të na japë paqen, atë paqe të zemrës, që vetëm Ai mund të na e japë e që na e jep,
vetëm kur e lëmë të ecë përkrah nesh”.